Kjo Liga e Kombeve, aty ku futbolli “thërret” :  “ Rroftë pandemia !”

S’ka shpërblim më të keq për tifozët e Kombëtares sesa kur për një gol “historik” si ai me Lituaninë, i cili edhe mund të pagëzohet si “vetëvrasje kuqezi”, shfaqet edhe trajneri Reja për ta thelluar  përrallën. Në prag të ndeshjes me Kazakistanin, me qetësinë më të madhe, trajneri hedh në kosh këtë gol të paharruar, por, ama,  na  paralajmëron për bëma të tjera. “Njëri nga lojtarët tanë duhej t’ia pasonte topin portierit dhe ia dha kundërshtarit. Janë gjëra që ndodhin në ndeshje dhe për këtë duhet t’i kuptojmë..”

Po i dashur trajner, kemi vite që i kuptojmë pse ndodhin gafat ! Dhe Liga e Kombeve, siç quhen ndryshe ndeshjet miqësore të dikurshme, pjellin shumë rezultate të çuditshme, madje më shumë se sa çudi, në disa raste ..ndezin dyshime. Shikoni edhe njëherë golat në grupin e Kombëtares sonë për të kuptuar pse grupi ynë ka vjedhur  shenjën “peshorja” nga horoskopi. Të gjithë me nga 3 pikë, të gjithë të zhytur në epruvetin e eksperimentit me ndërrimet pa kufi  dhe me zbulimet e pasosura të talenteve të reja.  Dhe është interesant fakti se futbolli që bën sikur vishet me të zeza dhe qan me lot  më shumë se çdo sport për shkak të mungesës së tifozëve, në kohën e pandemisë ka hapur saraçineskën e golave , me preteksin se stadiumet e boshatisur  kanë “zmadhuar portat”…për nga mungesa e presionit publik  !

Kthehemi tek Kombëtarja jonë, sepse nuk dihet se çfarë ka kurdisur “fati’ për duelin  në Kazakistan. Le të shpresojmë se pas ndeshjeve që shkaktojnë depresion moral , si ajo me Lituaninë, do të ndodhë një çudi  tjetër. Dhe kjo,  sipas ritualit të “Ligës së Kombeve”, ku Shqipëria pasi bën “namin” me Bjellorusinë,  “vret” veten në ndeshjen me Lituaninë.  Këto që dëgjojmë nëpër konferenca, kur thotë zoti Reja se “Kazakistani është  ekip i fortë në mbrojtje dhe nuk çahen dot”, por ne.. prapë do t’i sulmojmë nga krahët”, nuk janë gjë tjetër, veç  piperi që kërkon të kamulflojë një pjatë bajate…

Sfidanti.al