Kjo është “Lufta e Pezës” në futboll! Të gjithë me petkun e dhunuesit…

Sa herë që troket dhuna në portat e futbollit, meraku më i madh është nëse vjen nga poshtë apo nga lart! Nëse vjen nga poshtë, është lajm i mirë , nëse vjen nga lart, nga ai që vetgënjehet me cilesimin  “futboll Superior” ..lajmi është i keq!  Morali është bërë i njohur gjithë këto vite: na kanë mësuar me hir e me pahir   se dhuna popullore e futbollit e ka shtëpinë poshtë, në kategoritë inferiore, kurse sipër, predikohet se dhuna është si Covidi, mirë që nuk duket, por edhe fshihet me marifet…

Ajo që ndodhi në ndeshjen Vora me Besëlidhjen , me siguri mund të pagëzohet si model i dhunës totale. Jemi rritur duke ëndërruar futbollin total, kemi mbërritur tek dhuna totale, ku të gjithë godasin kokën e të gjithëve! Kujt i bëhet vonë nëse ka fituar Vora 2 me 1 apo ka humbur Besëlidhja, kur “lufta”  në emër të futbollit ka ç‘nderuar futbollistët, stafet e ekipeve dhe tifozët e tyre . Skenat e përjetuara në kompleksin “ Internacional” të Pezës të çonin në një botë primitive,   shumë e dhunshme për t’u pranuar si pjellë e futbollit, e një futbolli kanunor, që luhet edhe  për të marr hak , sesa palët të argëtohen me njëra tjetrën..

Tani, sipas zakonit,  në skenë do të dalë Komisioni i Disiplinës, ai që mban emrin driblues  “kamzhiku i dhunës”, ndërsa në të vërtetë  është ..menaxheri i dhunës! E shet dhe e blen dhunën sipas interesave të pronarëve të tyre , të atyre që kanë 100 arsye ta bekojnë dhunën dhe jo ta luftojnë, se pa të do të ishin si peshku pa ujë…

Sfidanti.al