“Me kokë dhe me zemër”, kështu luajti Varani për Realin!

Ka luajtur më shumë se 440 ndeshje si futbollist profesionist, veçse nuk ka shënuar shumë gola. Rafael Varan nuk është si Sergio Ramos, shoku dhe kapiteni i tij tek Reali i Madridit, që edhe pse mbrojtës sheh nga porta kundërshtare, veçse francezi këtë herë i përngjau kolegut të repartit difensiv. Të dy golat në fitoren e rëndësishme 2-1 në fushën e Hueskës ishin të Varanit, duke qenë këto edhe 2 rrjetat e para të sezonit. Interesant fakti se qendërmbrojtësi francez kaq e ka rekordin e sezoneve, me 2 gola në kampionat, gjë që e ka bërë 4 herë, ndërsa ia ka dalë në 3 sezonet e fundit radhazi.

Në mungesë të Ramosit, ishte ai që mbajti peshë skuadrën duke qetësuar Zidanin që ishte tepër i shqetësuar dhe i nervozuar pas kritikave mediatike dhe presionit të rezultateve. Për më tepër, Varani përmbysi shifrat pasi Hueska kaloi e para në epërsi në pjesën e parë. “Ne treguam karakter, – tha Zidan më pas, – skuadra jonë tregoi se di të reagojë në momente të vështira”. Problemi është se nuk e bën dot shpesh, ndërsa Zidani kritikohet se mbështetet shumë tek të vjetrit si … Varan. Në të vërtetë, kampioni i botës është vetëm 27 vjeç, por ka shumë përvojë duke qenë që luan tek Reali që në vitin 2011 kur ishte 18 vjeç. “Me kokë dhe me zemër” e komentoi ai vetë paraqitjen që bëri me Hueskën në reagimin e postuar në Instagram.

Sfidanti.al