Kampionati i intervistave dhe i bisedave pas perdeve!

A di të thotë dikush se përse në Angli apo Gjermani, edhe kur arbitri e bën baltë, nuk ka skena dhune dhe akuza “për burg”? Përgjigja, që besohet se e di çdokush prej jush, është që në Premier Ligë dhe në Bundesligë, presidentët e dinë se “produkti” duhet të dalë nga fusha dhe jo të jetë “gjysmë i gatshëm” apo edhe “i gatshëm”. Për këtë arsye, ky produkt është i shitshëm, pasi e ka kaluar testin e cilësisë, testin e publikut. Stadiumet atje janë gjithnjë plot, edhe kur ekipet pësojnë më shumë humbje sesa marrin fitore.

Nëse kthehemi në Shqipëri, Superliga nuk i ngjan dot as edhe një “baxhoje” fshati, e cila të paktën prodhon bulmet, qoftë edhe për miq e shokë apo për eksport.

Nëse dëgjon intervistat e presidentëve dhe drejtorëve, të duket vetja se je në Suedi, ndërsa nëse dëgjon bisedat e lirshme, por në kushte anonimiteti, kupton se je më keq se në Shqipërinë e para 1990-ës, të paktën kur vjen puna për cilësinë e futbollit.

Dëgjon për gjyqtarë-marioneta, për marrëveshje të presidentëve, në favor të njëri-tjetrit dhe në kurriz të presidentit “kundërshtar”. Të gjitha këto biseda që, juridikisht nuk mund të certifikohen, dhe as nuk mund të përballojnë “gjyqin” e komisioneve në federatë, e kanë kaluar testin e publikut.

Me përjashtim të ndeshjeve derbi në kryeqytet, dhe të ndonjë sfide Teuta-Partizani apo Skënderbeu-Partizani, stadiumet janë thuajse bosh.

Sfidanti.al