Manxhukiç, kur legjendari Blazheviç e quante “dembel” dhe “çamarrok”

Sot është figurë e madhe e Juventusit, aq sa disa herë lë në hije edhe vetë Kristiano Ronaldon. Mario Manxhukiç është një nga tre krenaritë e sotme më të mëdha të Kroacisë dhe të futbollit ballkanas, bashkë me Luka Modriçin e Ivan Rakitiçin, por fillimet nuk i ka pasur të lehta. Në moshën 18-19-vjeçare u bashkua me NK Zagrebin, me të cilin luajti pak më shumë se dy sezone, nën drejtimin e trajnerit legjendar, Miroslav “Çiro” Blazheviç (në foto).

Njeriu që udhëhoqi Kroacinë drejt vendit të tretë të Botë në 1998, e vëzhgoi nga afër sulmuesin e ri dhe i vuri dy epitete, “gjilkosh” dhe “mangup”. E para, nofkë me origjinë hungareze, dhe e dyta me origjinë turke dhe arabe, që do të thonë “i ngathët”, “dembel” dhe “çamarrok”. E, pra Manxhukiçi në atë kohë mendoi se “Çiro” nuk e donte aspak.

Në verë të vitit 2008, NK Zagrebi u eleminua nga Vllaznia e Shkodrës në Kupën Intertoto, ndërsa po ata muaj, Dinamo e Zagrebit pagoi mbi 1 milionë euro për kartonin e tij. Në karrierë vazhdoi tek Volfsburgu, Bajerni, Atletiko e Madridit dhe tani Juventusi, duke shënuar rreth 250 gola në mbi 500 ndeshje.

Me 21 trofe, nuk është larg legjendave si Guardiola apo Murinjo, ndërsa me 9 gola në 19 ndeshje këtë sezon, është shumë pranë Kristiano Ronaldos, që ka 12 gola në 22 ndeshje. Manxhukiç është një lojtar i palodhur, aq sa ish-trajneri Feliks Magat, tha se “mund të luajë dy ndeshje radhazi, pa bërë asnjë minutë pushim”. “I ngathëti” dhe “dembeli” Super Mario është gjithashtu edhe lojtari i golave të ndeshjeve të mëdha, siç bëri edhe këtë të shtunë ndaj Romës.

Sfidanti.al