Junajtid, kush po kthehet në “Old Traford”? Legjenda Shmajkel!

Ishte portieri më i madh në botë, në vitet kur mbrojti portën. Peter Shmajkel ishte një fat për Mançester Junajtidin dhe Sër Aleks Fergusonin, ashtu siç edhe për të ishte fat që luajti në atë skuadër të madhe në vitet 1991-1999. Sot, “danezi i madh” është gati të kthehet, dhe të jetë drejtor sportiv, në krah të ish-shokut të tij të ekipit, Ole Gunar Solskjer.

“Po pyes veten nëse i kam cilësitë e duhura, – u shpreh ai, – nëse përgjigja do të jetë “po”, atëherë do të aplikoj për drejtor sportiv tek Junajtid. Mendoj se klubit i duhet dikush që e njeh kulturën dhe historinë e tij, dua të kthej diçka nga koha e Sër Aleksit”.

Gjigandi 55-vjeçar fitoi shumë në “Old Traford”, përfshi 5 tituj kampion, 3 Kupa të Anglisë, një Kupë të Ligës si dhe Ligën e Kampionëve në 1999. Po ashu, Kampionatin Europian me Danimarkën në 1992.

Ende pa u bërë drejtor, Shmajkel ka një paralajmërim për Pogbanë. “Po flitet sikur ai fitoi një luftë me klubin për të larguar trajnerin, por asnjë lojtar nuk është më i madh se klubi dhe trajneri, – u shpreh danezi, – dua ta shoh Pogbanë si një lojtar të Junajtidit, jo në luftë me klubin”.

Sfidanti.al