Do të shtyhet apo s’do të shtyhet kampionati? Paska baste edhe për datën e fillimit të kampionatit dhe 21 janari i futbollit, ndryshe nga ai i politikës, qënka zgjedhur si dita ideale për të “vrarë” kalendarin. Nga zyrat e futbollit, pikërisht në ditët e ftohta, paska dalë një lajm i ngrohtë: “ Kampionati do të shtyhet për shkak të temperaturave të ulta”. Si në një lojë futbolli të natyrës sonë, fill pas këtij sulmi në portën e kalendarit, shefat u tërhoqën në mbrojtje, duke pritur se në ç‘mënyrë do të reagojnë klubet. Nga Turqia, atje ku stërviten 6 ekipet më të mira, pritej që rivalët e titullit të bashkoheshin për një ditë të vetme dhe të thonin bashkarisht: mjaft kemi luajtur me kalendarin dhe nuk e ndryshojmë datën! Kjo paska qënë veçse një ëndërr, ngaqë ajo që ka ngjarë duket si një magji në tokën turke. Ushqimi dhe klima paskan bërë efekt të kundërt në klubet tona, sa çuditërisht, kanë aprovuar shtyrjen e kampionatit, pale kur thonë se edhe kanë festuar . Një festë më shumë në tokën turke, ku pas ndeshjeve miqësore, mberrijnë lajme me aromë të çuditshme: ka nga ata që i gëzohen humbjes dinjitoze në miqësore, ka nga ata që kanë zënë radhën të luajnë me klubet e Azerbaxhanit, ngaqë i mundim me sy mbyllur, por ka edhe nga ata që u thonë futbollistëve: “ Mbajini këmbët mbyllur, sepse menexherët ua kalojnë topin poshtë këmbëve..”
Në Turqi, as vihej në dyshim, ekipet po kalojnë për mrekulli “ditët e mjaltit” dimëror dhe askush nuk e vret mëndjen për datën e fillimit të kampionatit. Ky është një lajm i mirë për zyrtarët, të cilët janë befasuar kur kanë parë se vetëm Teuta dhe Laçi janë dy ekipet e vetme që kundërshtojnë dredhinë me datën. Dy ekipe që këtë sezon nuk kanë peshën e kampionateve të fundit, dy ekipe, për të cilat zemra zyrtare nuk pulson si në kohët e arta. Fjalët e presidentit Hasanbelliu të Teutës, duhet t’i kishin thënë edhe shumë presidentë të tjerë të Superligës, por lepuri në barkun e futbollit akoma nuk është vrarë: “ Kjo shtyrja e kampionatit për hir të temperaturave mund të jetë një alibi, sepse ka diçka tjetër që nuk është punë termometri..”. Fjalët e tij në vesh të Zotit, kur shikon se bora po ikën dhe temperatura po shkon në favor të lojës normale, mirëpo nuk të dëgjon zoti i futbollit. Po përse ka mbyllur veshët, ndërsa kishte premtuar, sidomos pas pendesës për tradhëtinë financiare me paratë e Solidaritetit, se loja, tani e tutje, do të bëhej më e pastër dhe pa hile. Thonë se, ata të Skënderbeut, i kanë kërkuar shefit që kampionati të shtyhet, ngaqë nuk bëhen dot gati për datën e fiksuar..21 janarin e futbollit. Në qoftë e vërtetë, kjo përgënjeshtron të gjithë ata që thonë se shefi nuk di të dashurojë gjatë..
Gëzim Sinemati