Kush është Diego Kosta? Çelsi gjen heroin e ri në Leiçester!

“Asnjë lojtar nuk është më i madh se skuadra dhe klubi”, u shpreh sulmuesi i Uest Hemit, Andi Karrol, duke shigjetuar Dmitri Pajenë. Tek Çelsi nuk ka dalë ende ndonjë futbollist që të shigjetojë Diego Kostën, por vetë rezultati në stadiumin e Leiçesterit është një goditje. Blutë e Londrës fituan 3-0 në fushën e kampionëve të Premier Ligës, edhe pse trajneri Antonio Konte vendosi ta linte jashtë skuadrës sulmuesin më të mirë të tyre. Si për koincidencë, edhe Uest Hemi fitoi po 3-0, madje jashtë fushe pavarësisht se Paje, njëri prej futbollistëve të tij më të talentuar, refuzoi të luante.

Aksioma e thënë nga Karrol vlen për çdo skuadër futbolli në botë, pavarësisht nga madhështia e yjeve, dhe ndoshta vetëm ndonjë si Lionel Mesi mund të bëjë përjashtim, një përjashtim që forcon rregullin.

Çelsi pati në fushë mjaft lojtarë të fortë, mes të cilëve Pedron të vetëm në sulm, të mbështetur nga Hazar, Alonso dhe Uillian. Ishte pikërisht spanjolli Markos Alonso që u shndërrua në hero, duke shënuar dy golat e parë, në minutat 7 e 51, ndërsa spanjolli tjetër (katalanas), Pedro fiksoi shifrat në 71’. Çelsi kryeson Premier Ligën me 52 pikë pas 21 ndeshjeve, 7 më shumë sesa Totenhemi.

Sfidanti.al