Futbolli, megjithë veset e tij, ndodh që sjell emocione që rrallë mund të krijohen. Një qytet mund të ndihet krenar dhe të marrë shembull nga një periudhë e shkëlqyer e skuadrës që e përfaqëson, sidomos kur flitet për qytete “të vegjëlisë”. Ashtu si kryengritja e skllevërve në Romën e Lashtë u identifikua me Spartakun, edhe suksesi i madh identifikohet shpesh dhe thuajse plotësisht me liderin e skuadrës.
Nëse ka një lojtar që mund të vendoset në piedestal për këtë rol, nuk mund të ishte tjetër veçse Diego Armando Maradona. Argjentinasi elektrizoi edhe një herë Napolin me të vënë këmbën në qytet. Edhe pse ish-numri 10 i të kaltërve mbërriti vetëm në orën 21 e 56 minuta të mbrëmjes, sërish përpara Hotel “Vezuvit” ishin mbledhur plot 500 tifozë që kënduan këngën e famshme “nënë, pashë Maradonën”, himnin në stadiumin “San Paolo” në vitet 80-të.
Kanë të drejtë napolitanët. Ashtu si Spartaku që udhëhoqi skllevërit kundër padronëve të tyre, kundër Romës së plotfuqishme, edhe Maradona me shiritin e kapitenit në krah, sulmoi pushtetin e lartë të futbollit italian. Ashtu si Spartaku, atij nuk iu dridh qerpiku, por triumfoi duke fituar dy tituj kampion në 1987 e 1990 përballë Juventusit, Interit dhe Milanit të Sakit. Fitoi edhe Kupën e Italisë si dhe Kupën UEFA. Kurrë më parë Napoli nuk ia kishte dalë, as sot pas 30 vjetësh nuk ia ka dalë më.
Për këto bëma, Maradona mund të vlerësohet si futbollisti më trim i të gjitha kohëve, me shumë gjasa edhe më i miri, pavarësisht nga konkurrenca e jashtëzakonshme e Pelesë apo Mesit. Diego mbërriti në Napoli mbrëmjen e djeshme pikërisht sepse në Napoli do të përkujtohet titulli i parë kampion, këtu e 30 vjet më parë.
Sfidanti.al