Nuk është edhe aq i ri, por duket se e ka gjetur skuadrën e duhur. Po ashtu, Boston Sëlltiks besohet se ka marrë lojtarin që mund ta bëjë sërish të famshëm. Ajsajah Tomas është padyshim një nga yjet e sotëm të NBA-së, dhe po luan basketbollin më të mirë të karrierës. Në moshën 27-vjeçare ka krijuar binomin e duhur me ekipin rekordmen të titujve, siç e tregoi edhe në suksesin në fushën e Atlantës. Fitorja 103-101 u arrit vetëm pasi Tomas shënoi koshin vendimtar 3 sekonda përpara sirenës.
Gjithsej, numri 4 i Bostonit shënoi 28 pikë, duke qenë më i miri në fushë, si dhe shërbeu 9 asistë për shokët e tij. Kontributi i madh i Tomasit, dhe optimizmi me të cilin po luan gjithë skuadra e kanë bërë Sëlltiksin një nga skuadrat më serioze të kampionatit këtë sezon. Në Konferencën Lindore, është e treta, fare pranë Torontos së vendit të dytë, dhe vetëm Klivlendi duket i pakapshëm për momentin. A mund të themi se Bostoni po rikthehet në kohët e arta kur dominonte basketbollin amerikan? Është ende shpejt për ta pohuar, veçse me një Tomas të tillë, dhe me lojtarë të tjerë si Horford, Krauder apo Olinik, edhe mund t’ia dalë.