Jemi në “funeralin” e spektaklit! Shkëmbi ia vë i pari kurorën …

Duket se Teuta e trajnerit Shkëmbi nuk pëlqen të jetë e bukur si në fillim të kampionatit, por ngjitet më shumë lart kur “shëmtohet” në lojë. Kjo po bëhet e vërtetë në fushën e lojës, për javë të tëra, por akoma më shumë fiton vërtetësi edhe nga fraza e vetë Shkëmbit.
” Mos kërkoni spektakël në kampionatin tonë “. Një e vërtetë e dhimbshme e dalë nga goja e një trajneri të ri, që mbahet mend në fushë si një nga futbollistët mesfushorë që kujdesej më shumë për artin modest që zbukuronte ndeshjet, për të lënë gjurmët e trurit në fushë më shumë se sa gjurmët e këmbëve…
Sigurisht, në një kampionat ku pikët e ndeshjes shiten si “pika floriri”, ku klasifikimi na gënjen më bukur , duke maskuar ato që ndodhin në thellësi të fushës. Sipas kësaj logjike, ai që do të cënohet më shumë është argëtimi në lojë, pra ajo që quajmë spektakël. Dhe spektakli ka “vdekur” më shumë në këtë kampionat, pasi në vitet e shkuara e gjeje shpesh tek Skënderbeu, që e fitonte ndeshjen me armë logjike ,pa qënë nevoja për të përdorur forcë. Të bukurën në lojë e kemi shijuar edhe tek Luftëtari , tek ekipi për të cilin u kujdesën edhe ata lart, duke i tërhequr veshin se nuk mund të dalësh nga kontrolli madhor , si një ekip spontan, i pavaruar dhe krejt bafasues….

Sfidanti.al