Për gati 10 apo 12 vjet me radhë, drejtuesit e Arsenalit dhe tifozët patën një dilemë torturuese se çfarë duhej të bënin me Arsen Vengerin. Dukej qartë se francezi po shkatërrohej nga nervat në mënyrë të pandalshme, por fama e tij ishte aq e madhe, sa dukej sakrilegj po të mendoje shkarkimin. Për këtë shkak, “agonia” ishte tepër e gjatë dhe londinezët duket sikur humbën shumë vite të vlefshëm, sepse vendimi u mor shumë vonë.
Në një pozicion të tillë, gjithnjë e më shumë, po e sheh veten Zhoze Murinjo. Trajneri i Mançester Junajtidit duket si kandidat i “përzgjedhur” për t’u shkarkuar, me ekipin e tij që nuk po e mban dot ritmin e Mançester Sitit apo Liverpulit, madje që aktualisht ndodhet 7 pikë larg vendit të katërt, pra zonës Champions.
Plakja e njeriut kuptohet kur ai flet vetëm për historitë e tij të lavdishme, kur kritikat e tij bëhen tepër të hidhura, dhe kur nga goja e tij nuk dalin më lavdërime. Ky është momenti, kur dobësia nervore bën ligjin dhe tek Murinjo ky moment duket se ka ardhur.
Më përpara, ai kritikoi Pol Pogbanë, më pas nuk la pa shigjetuar Romelu Lukakun apo Aleksis Sançezin, ndërsa përpara ndeshjes ndaj Kristël Palasit (0-0 në “Old Traford”), kritikoi mungesën e karakterit dhe të pjekurisë së 4 yjeve të tij të rinj, Shou, Lingard, Marsial e Rashford.
Të gjitha këto, në një kohë që mjaft nga këta lojtar i ka marrë apo mban në skuadër Murinjo, ndërsa Mançester Junajtid ka ekipin më të paguar në Premier, me mbi 340 milionë euro rroga në sezon, më shumë se Mançester Siti, Çelsi apo Liverpuli. Nuk dihet, ndërkaq, nëse “agonia” e Junajtidit me Murinjon do të zgjasë po aq sa e Arsenalit me Vengerin, apo më pak!
Sfidanti.al