Juventus, Ronaldo, Kielini, në Torino gjithçka shkon “fjollë”!

Theu rekordin e vet historik. Juventusi nuk ka mëshirë as për të kaluarën e tij, apo ndoshta dëshiron ta përmirësojë, siç bëri me sasinë e pikëve të grumbulluara pas 13 javëve në Serinë A. Suksesi 2-0 ndaj Spalit, me gola të Ronaldos e Manxhukiçit, bëri që bardhezinjtë të kenë 37 pikë në 13 ndeshje, duke lënë pas rekordin e Juves së Fabio Kapelos në 2005-2006, me 36 pikë.

Kristiano Ronaldo, ndërkaq, arriti në kuotën e 9 golave në Serinë A, baraz me Krzistof Piontekun e Xhenoas, duke qenë dy golshënuesit më të mirë të kampionatit deri tani. CR7-ta u kthye aty ku i takon dhe ku është mësuar të jetë.

Gjithsesi, ndaj Spalit, ishte edhe mbrëmja e Xhorxho Kielinit, edhe pse hyri në pjesën e dytë. Mbrojtësi veteran 34-vjeçar luajti ndeshjen zyrtare numër 483 me fanelën bardhezi, duke lënë pas legjendën Roberto Betega në renditjen e të gjitha kohëve. Kielini ndodhet në vend të pestë, dhe përpara tij janë vetëm Alesandro Del Piero (705 ndeshje), Xhanluixhi Bufon (656), Gaetano Shirea (552) e Xhuzepe Furino (528).

Sfidanti.al