Ishte dilemë, u bë trilemë për Vllazninë: a do të mbetet e bukur?

Në një kampionat si Superliga, ku sheshimi i vlerave  shitet si modë, ku më shumë se gjysma e 10 ekipeve nuk kanë droje  të thonë se pretendojnë kampionatin, ajo që po ndodh me Vllazninë është ngushëllimi më i bukur! Vllaznia është e bukur për t’u parë në lojë, ndërsa  trajneri Bërdariç qënka një aventurier i zellshëm i lojës sulmuese. Dhe ku dhe kur ndodh kjo ? Kur shumica e trajnerëve tanë kanë shfaqur  një “pandemi profesionale” ..frikën  nga humbja! Refuzimi i lojës sulmuese është një realitet i  hidhur , i kushtëzuar edhe  nga padurimi i presidentëve, ndaj dhe  shfaqja e Vllaznisë është bërë gjahu i të gjithëve.

Javët kalojnë dhe dilema është shndërruar në trilemë. Në fillim pyesnim me dyshim: sa javë do t’i mbajnë gjunjët Vllaznisë në krey të klasifikimit? Tani pyetja është modifikuar gjenetikisht : kjo Vllazni a do të mundet të jetë e bukur deri në fund..? Një pyetje luksi kur mendon se në luftën tonë të vogël nga spektakli dhe të madhe për nga zhurma ,  s’e  fiton dot bukuria, ngaqë pasqyra e”jurisë” ka vite që nuk tregon të vërtetën e madhe..

Sido që të jetë predestinuar fati i Vllaznisë, ajo që po ndodh është si një përrallë edhe për vetë shkodranët!Pale kur kujton, 2 vite  kohë më parë, akoma i kujtojmë skenat prekëse, tifozët shkodranë qanin me lot  dhe nuk besonin se si ekipi i tyre preku tokën në “fundin e detit”, duke kapatapultuar një ..botë më poshtë! Edhe pse në Shkodër thonë se ju duket si një ëndërr e keqe, ajo që po ndodh sot  ka “lidhje gjaku”  me atë që përjetuan ..dje!

Sidomos në një tokë futbolli ku ferri dhe parajsa qëndrojnë shumë afër. Kujtoni Partizanin kur ra apo e rrëzuan kokëposhtë dhe si me magji  u ngrit deri sa kapi majën. Rasti më imponues Tirana, që mori vrull nga poshtë, kur “puthi” tokën e panjohur të një kategorie inferiore  për t’u ngjitur në altarin e kampionit..kur nuk ishin shuajtur akoma kujtimet e këqia! Nëse do ta besonim moralin e këtij  “ligji”, Vllaznia është nisur për një ..porosi të çmuar. Mund te  thuhet : Porosi nga brezat shkodranë, që edhe aty ku janë, presin që “prona” t’i kthehet të zotit…

Sfidanti.al