Një kafe me presidentin për të kuptuar dështimin europian shqiptar

Një kafe imagjinare me presidentin e një klubi shqiptar futbolli do të mjaftonte për të kuptuar se përse skuadrat tona dështuan këtë edicion në Europë. Të na falë Skënderbeu, pasi ai e kaloi turin dhe bindi, ashtu si ka bindur këta vjet (megjithë mëkatin e përkrahjes politike), por Tirana, Partizani dhe me radhë klubet e tjerë të Superligës, ia bëjnë “gropën” v vetes.

Le ta fillojmë me porosinë “dy kafe, kamarier”, dhe të vazhdojmë bisedën. “A e dini, president, se në Kroaci klubet mbahen me shitje të lojtarëve?” – është njëra pyetje. “Unë nuk e di modelin kroat, por këtu tek ne nuk po na dalin lojtarë për të qenë”, – vjen përgjigja. “Përse nuk e mësoni?” – është pyetja tjetër, por që mbetet pa përgjigje. Siç duket, presidentët tanë e kanë punën keq me gjuhët e huaja dhe me përkthyesit.

“A e dini president sesa cilësorë janë kurset e trajningut të moshave në FSHF?” – e pyes përsëri. “E për çfarë më duhen?” – janë fjalët e tij. “Për të ditur sesa të saktë janë trajnerët që do të marrësh për Akademinë, dhe për të ditur se cilët janë më të mirët ndër kursantët”, – i them, por duket se nuk më kupton. “Ia kam lënë në dorë akademinë mikut tim X, tek i cili kam besim, pasi vetë nuk e di sesi bëhet”, – mjaftohet të thotë bosi.

“President, ka shumë fjalë se trajnerët në akademinë tuaj marrin para nga prindërit”, – i them. ”Po nuk ka ndonjë të keqe, pse vetëm me rrogën do të mjaftohet ai, le të jetë i shkathët, kështu edhe nuk më kërkon rritje page”, – dalin fjalët nga goja e numrit 1 të klubit.

“President, keni ndërruar 6 trajnerë në katër vjet dhe sërish nuk iu shkon mbarë,  përse e bëni?” – i bëj vërejtje. “Më thoni ju çfarë të bëj tjetër, të largoj lojtarët për të cilët kam shpenzuar kaq shumë?”. Vazhdoj t’i them se çdo trajner që vjen, sjell lojtarë të tjerë dhe nxjerr si arsye për dështimin se i duhet kohë për të bërë një skuadër, kohë që nuk e ka, por presidenti zgjedh të rrufisë pak kafe nga filxhani, më mirë sesa të më përgjigjet.

I kujtoj se i ka ndodhur shpesh të dalë në krah të një lojtari të talentuar,por që nuk stërvitet siç duhet, duke ia ulur autoritetin trajnerit, por presidenti gjykon se autoriteti më i lartë i klubit është ai vetë. i kujtoj edhe se, nëse ua vonon rrogat lojtarëve, është dëm i madh, pasi ata çoroditen dhe nuk luajnë, ndaj “të shtrijë këmbët sa e ka jorganin”. “Mos u bëni merak për paratë e mia, – thotë ai me zemërim, – këtë e di unë më mirë se ju”. Në fund, kur i them “dakord, por të gjitha këto janë humbje, dhe ju duhet të rregulloni bilancin”, përgjigja vjen: ”Nëse nuk ka rrugë tjetër, njoh mirë kuotat e basteve, por edhe mund ta zbres ekipin një kategori më poshtë, dhe ta mbaj aty, aq sa të më duhet”.

Po tifozët, desha tap yes, por e kuptova se nuk kishte kuptim. Kafenë, ndërkaq e kisha mbaruar, ndaj i kërkova leje presidentit dhe u largova nga tavolina.

Sfidanti.al