Nuk ka si Irlanda e Veriut, ngjit 122 vende në 5 vjet në renditjen FIFA

Irlanda e Veriut kishte kohë që ishte harruar në botën e futbollit. Natyrisht, kombëtarja e vendit të vogël vazhdoi të ekzistonte, tepër larg lavdisë së vitit 1982 kur ishte në Kupën e Botës, veçse tashmë është kthyer në vëmendje. Nën drejtimin e trajnerit Majkëll O’Nill, ekipi që i përket Mbretërisë së Bashkuar, ka fituar 122 vende në 5 vjet, një ngjitje e vazhdueshme dhe e shkëlqyer.

O’Nill, një ish-futbollist mëse i zakonshëm, ka dalë një trajner shumë i mirë dhe pas një viti të vështirë (2011), puna e tij nisi të jepte fryte, duke e vendosur Irlandën e Veriut në mes të ekipeve më të respektuar të botës (Anglia, p.sh. është e 13-ta). Ai ka një bilanc të mirë, me 17 fitore, 15 barazime e 17 humbje, ka barazim 1-1 me Portugalinë, fitore 1-0 me Rusinë, 3-1 me Greqinë dhe kualifikimi për në turneun e parë të madh pas 30 vitesh, Euro 2016. Jo vetëm kaq, por ekipi arriti në turin e dytë (mundi Ukrainën në grup), dhe u mund minimalisht nga Uellsi.

Nuk ishte e lehtë për një katolik si Majkëll O’Nilli edhe të zgjidhej në krye të ekipit përfaqësues, në një vend ku katolikët dhe protestantët nuk është se shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin. Gjithsesi, ai ka meritën që tejkaloi çdo pengesë dhe arriti suksesin.

Sfidanti.al