Shanset janë të barabarta për dy ekipet, i këtij mendimi është Tefik Osmani, i cili në konferencën për shtyp tha se Skënderbeu bëhet më i fortë me praninë e tifozëve. Ndaj i fton tifozët që të përsërisin atmosferën e ndeshjes ndaj Kairatit edhe në Elbasan.
Osmani, tani që jeni kthyer nga Çekia, mendoni se mund të kishit marrë një rezultat më të mirë në ndeshjen e parë?
Me pjesën e parë jam dakord, ku u mundëm 1-0, pasi kemi luajtur dobët të gjithë. Në pjesën e dytë, besoj se meritonim barazimin. Ishte rezultati më i drejtë për atë pjesë loje. Por u ndëshkuam dhe as vetë nuk e besuam sesi arritëm të pësonim gol aq shpejt.
Diçka u duk se nuk shkoi me mesfushën në pjesën e parë…
Nuk mendoj kështu si ju, që nuk funksionoi mesfusha. Ne jemi grup dhe mendoj se nuk ka funksionuar komplet grupi dhe kjo solli atë lojë jo të mirë të pjesës së parë.
Përse ndodhi kjo, apo ju studioi Mlada më mirë?
Nuk është kjo, besoj, nuk jam dakord me këtë. Nëse na kishte studiuar mirë, atëherë pse pjesa e dytë foli më shumë për ne, që ishim më të kthjellët në lojë? Mendoj se kjo vjen nga fakti që presioni i ndeshjeve po bëhet gjithnjë e më i madh. Tani jemi në turin e tretë dhe çdo njeri shikon për lart. Megjithatë, jemi sërish në lojë dhe rezultati deri diku është i mirë. Shanset janë ende 50 me 50.
Mos ndoshta presioni mbi ju ishte që në momentin kur Mlada u quajt më lehtësisht i kalueshëm se Kairati?
Një gjë të tillë e kemi ditur që në momentin kur u hodh shorti. Në rast se kalonim Kairatin, tifozët do të mendonin se ishte i kaluar edhe turi tjetër. Ekipet ndryshojnë shumë nga njëritjetri. Nëse Kairati të lejonte të luaje futboll, Mlada është më agresive si ekip.
Tashmë që e njihni nga afër, cila është pika më e fortë e çekëve?
Mua nuk më intereson se ku është pika e tyre e fortë, mua më intereson që pika jonë e fortë të jetë në stadium atë ndeshje. Janë tifozët, pika jonë më e fortë dhe të na përkrahin siç bënë në ndeshjen me Kairat Almatin. E di që është shumë e vështirë, sepse nuk luajmë në stadiumin tonë, por iu kërkoj të bëjnë një sakrificë për ekipin e zemrës së tyre. Nëse do të kemi atë mbështetje si me Kairatin, çdo lojtar do japë më shumë se 100%.
Marre nga Panorama Sport