Një futbollist që erdhi tek Arseanoi vitin e kaluar, pasi për të u paguan 17 milionë euro, do që të largohet nga ky klub londinez, sepse konsideron se atë nuk e respektojnë aq sa duhet. Agjenti Rodrigo Fernandes Lovel tha se futbollisti Lukas Perez është zhgënjyer, sepse bluza me nr.9 që ai mbante, iu dha Aleksandar Lakazetit të porsaardhur.
“Arsenali, tanimë, e ka marrë vesh se ne duam që të largohemi, sepse Perezit nuk do t’i jepet shansi që ai meriton”, tha Loveli. Sipas agjentit në fjalë, Perezi ka një ofertë të mirë nga ish-klubi i tij Deportivo La Korunja, nga ku ai erdhi tek Arsenali.
Loveli, po ashtu, vuri në dukje se klienti i tij është zhgënjyer, pasi kryesia e klubit vendosi që t’ia merrte bluzën pa e pyetur atë fare që tregon për mungesë respekti ndaj tij.