Hipokrizia s’njeh kufi: tani i lutet FSHF ..Shetit për 30%  popull kuqezi!

Ajo që ngjet me futbollin është gati si një lojë e pashoqe  me hipokrizinë.  Sapo dolëm nga  paraliza e bojkotit, ku për dy muaj futbollistët dhe tifozët krijuan një distancim social që nuk e bëmë  dot as për Covidin, kërkojmë të fitojmë “kohën e humbur” duke vënë maskën e UEFA-s. FSHF i paska bërë një letër Qeverisë , një letër si ato të  shkollës fillore,  ku mësuesi   shkruan në fletoren e nxënësit : “ I lumtë dora ..mamit!”  Edhe FSHF-ja  , këtë herë e kishte qëndisur letrën me “dorën e mamit”, ku lutej që nëpër stadiume, sidomos kur luan Kombëtarja, të  lejohen 30 % e kapacitetit të tifozëve, siç ka ndodhur në disa vende të Europës.  Kjo letër, sado bukur të ketë qënë stisur,  e kishte përgjigjen në xhep edhe për një arsye  tejet shqiptare : pak ditë  më parë ishte  Shteti   që i  lutej FSHF-së që të ndalonte bojkotin dhe të dilnin në fushë për të luajtur dhe ata …silleshin sikur nuk ishin Federate por vetë shteti !

S’ka shpërblim më të keq për protagonistët e Superligës, sapo  dëgjojnë edhe një herë me veshët e tyre se kur flitet për Kombëtaren .. ne duam të shtiremi sikur jemi  me pararojën e Europës.  Na duhen njerëz nëpër  stadiume, të paktën një e treta të jetë e populluar , sa për ta bërë  më të vërtetë “bojkotin në lojë”   të Kombëtares në ndeshjet e fundit. E paharruar do të mbetet gjasme- ndeshja me Lituaninë,  një ngjarje e denjë për  kornizë të zezë,  që pati fatin se   turpi i 90 minutave  nuk arriti të marrë përmasat që meritonte, ngaqë u shtyp butoni i …bojkotit! Dhe një hall më i madh, gjithnjë  e eklipson hallin më të “vogël”…

 

Sfidanti.al