“Haleluja” në Vlorë:  mëkatin e arbitrit Xhaja, “e shpëlau” Zoti me shiun e madh

Në Vlorë kur ndalon futbolli, fillojnë thumbat !  Sapo është ndërprerë ndeshja Flamurtari – Laçi për shkak të shiut të madh , pasi pjesa e parë kishte fiksuar rezultatin 0-1 për futbollistët e Laçit,  në qytetin ku “pulat” e futbollit kakarisin pa lejen e pronarëve,  ka lindur një koment lakonik: “ FSHF na dërgoi një arbitër që nuk dallonte mirë vijën e 16-es, kur Zoti na ndihmoi me shiun e madh  për të ndalur mëkatin e ndeshjes”.  Në  një ndeshje ku futbollistët  duhet t’i përdorinin këmbët si duart pasi ngjasonte më shumë me vaterpolin sesa me futbollin, pika më kulminante, ajo që ndez fantazinë dhe frikën vlonjate,  ishte në momentin kur arbitri Xhaja ka dhënë një 11 metërsh të dyshimtë. Nga ata që  ish-presidenti Gjika  i ka koleksionuar si “penallti me syze saldatorësh”, nga ato që zbulojnë  se sindromi vlonjat për penalltitë fantazëm nuk është një trill i fantazizë,  më shumë një realitet që trupëron organizatorët meskinë…

Nuk dihet ajo që do të ndodhë në Vlorë, pasi të luhen edhe 45 minutat “historike” të kësaj ndeshje të qullur nga uji, por frika më e madhe është se mos përmbytet fusha  e qytetit  nga ndonjë gafë tjetër “njerëzore” e arbitrit.  Nga ato që e shtrëngojnë trajnerin Duro që të zbulojë se ekipi i tij  bën séanca speciale predikimi, ku pranohet  publikisht se arbitrat i kanë kundër, deri në atë masë sa japin edhe asiste   për të çnderuar ekipin e tij.

Do ta fitojë Laçi, do të barazohet  apo do të përmbyset rezultati? Në një kampionat që më shumë shikohet nga ekrani sesa nga shkallët e stadiumit, ku shpesh i zoti i shtëpisë  e lë derën hapur me shpresën për të gjetur  popullin që mungon në shkallët e stadiumit , lajmi se hyrja do të jetë falas  për pjesën e dytë të filmit “Futbolli i qullur” , zbulon  frikshëm se si po bie skajshem valuta e lojës..

Sfidanti.al