Gjermania nuk dorëzohet kurrë, karakteri i kampionëve i mban në Botëror!

Besoj e kuptoni se po flasim për Gjermaninë. Për skuadrën që mund të duket e vdekur deri kur gjyqtari bëhet gati për të vërshëllyer fundin, por pikërisht atëherë gjen forcën për të triumfuar. Nuk ia vlen të përsërisim shprehjen e Linekerit, por e vërteta është që edhe pse brezat ndërrohen, karakteri mbetet i njëjti.

Edhe kur yjet në fushë quhen Fric Valter, Franc Bekenbauer apo Lotar Mateus, edhe kur ata i kanë emrat Boateng, Gyndogan, Rydiger apo Toni Kros. Ishte pikërisht Kros, fajtori për pësimin e golit, që ktheu në jetë kampionët e botës me golin në minutën e 95-të.

Ndeshja, ashtu siç pritej doli shumë e vështirë. Suedia, pragmatiste, por tepër e fuqishme, u tregua sërish si një nga ekipet më të papërshtatshëm për gjermanët. Pavarësisht sulmeve të pandërprera të ekipit të Joakim Lëvit, nordikët patën qetësinë që të godisnin dhe të kalonin në avantazh me rrjetën e Toivonenit. Në një pjesë të parë shumë të fortë, të dyja skuadrat patën raste, por rezultati ishte për skandinavët.

Gjithsesi, edhe ata e dinin se ndaj Gjermanisë nuk mund të kishin siguri. Me të nisur pjesa e dytë, Marko Rojs barazoi rezultatin, ai Rojs që nuk ishte titullar ndaj Meksikës. Më pas kampionët e botës nuk patën fat, ndërsa u duk se morën fund kur Zherom Boateng mori kartonin e kuq. Gjithsesi, edhe me 10 lojtarë, edhe pse duheshin fare pak minuta deri në fund, Gjermania ruajti qetësinë.

Aksionet e saj ishin me përpikmëri të habitshme, edhe pse goli nuk po shënohej. Sidoqoftë, fati është me më të fortët, ndonëse në stadiumin e Soçit, gjermanët nuk morën dhurata, por ia dolën vetë. Fitorja 2-1 i jep mundësi të kualifikohet nëse fiton ndaj Koresë së Jugut në ndeshjen e fundit.

Sfidanti.al