Futbollistët e Tiranës të papërgjegjshëm? Fraza që “vret” breza bardheblu

Kur rikujton anektodën pikante të ish-trajnerit Sejdini, e cila lidhet me futbollistët e Tiranës, edhe më shumë të shpon veshin fraza e freskët e trajnerit Mema të Tiranës, fill pas ndeshjes me Skënderbeun. Le t’i dëgjojmë trajnerët edhe pse në kohë të ndryshme. Sejdini, disa vite më parë, pat zbuluar një sekret se futbollistët e tij nuk e fshehin dot frikë kur shohin 11 fanella bardheblu në fushë, edhe sikur ato t’i kenë veshur ..11 qytetarë apo 11 tifozë! Kurse trajneri i fundit i sagës bardheblu, Ardi Mema, pas ndeshjes modeste me Skënderbeun, ka zbuluar një të vërtetë të dhimbshme, një të vërtetë që kundërshton AND-në e trashëguar : “ Futbollistët e Tiranës kanë një papërgjegjshmëri që nuk po e lejon ekipin të ketë vazhdimësi. Akoma nuk e kanë futur në kokë se jemi Zot në fushë…”
Tirana dikur ishte e frikshme për gjithë kundërshtarët, kurse në kohën e sotme, Tirana ka më shumë frikë veten, pra Tiranën tjetër, se sa rivalin përballë. Dhe ata që i shfaqen në krahun e kundërt të fushës, duket se kanë fituar një privilegj të pamerituar, pasi bëhen më të “fortë” falë dobësisë së saj. Një dobësi që është kalçifikuar ndjeshëm në vitet e fundit, sa trajnerët bardheblu vishen edhe me të bardha, tentojnë të bëjnë edhe “psikologun” për të çliruar kokën e trazuar bardheblu. Fraza e Memës se futbollistët vuajnë nga një terapi papërgjegjshmërie në vijëmësi, zbulon se është këputur filli historik që pat lidhur brezat e kësaj armate të lindur për luftë pa kompromis. Tirana, në jetë të jetëve, ka patur vetëm një pasaportë identifikimi në loje: “vdiste” në fushë për të mos u dorëzuar! Dhe dhuntia më e prekshme, karakteri i saj, sidomos në kufirin e 90 minutave, kalonte edhe orbitën normale të sakrificës , duke dëshmuar se ajo që për shumicën ishte thjesht një lojë futbolli, për ata ishte një mënyrë jetese. Madje një mënyrë rebelimi për të treguar se sebepi ishte topi, por loja më e madhe bëhej për karakterin. Ndaj kur flet Ardi Mema për papërgjeshmëri të futbollistëve, sepse na duket sikur janë fjalë të “vjedhura” nga babai i tij, mjeshtri i madh Ali Mema, emblema e një brezi të paharruar, të cilët po shuhen nga mosha, por edhe të tradhëtuar për shpërdorimin e trashëgimisë që lanë..

G.Sinemati
Botuar ne Panorama Sport