FSHF, midis vjedhjes së mandateve dhe propagandës së stadiumeve

Tani as që mund të vihet më në dyshim, që gara e FSHF-së për të ruajtur pozicionin e kreut aktual është e bazuar mbi pandershmërinë dhe vjedhjen. Ata kanë vendosur që të shkojnë përpara kutisë së votimit me një avantazh, minimum prej 12 votash dhe një gjë të tillë po e mbrojnë me mënyrat më banale të mundëshme. Sipas një deklarate të fundit zyrtare të institucionit për këtë parregullsi unikale, vendimi i gjykatës ka më tepër efekt publicitar ose deklarativ dhe nuk e prek kurrësesi për mbarëvajtjen e aktivitetit të FSHF, gjë që tregon edhe një herë “mprehtësinë” e juristëve të Federatës. Më pas na u tha se ata që kanë caktuar të votojnë pro Dukës janë personalitete të padiskutueshme të sportit, duke na njohur me një tjetër kriter për t’u pajisur me mandate. Ndërsa furia e denigruesve dhe fyerësve  që është lëshuar në mjetet e informimit dhe rrjetet sociale, po injoron edhe parimet më elementare që na identifikojnë si njeri. Ndërsa avantazhet pse duhet t’i besohet dikujt një mandat i pestë dhe më pas një tjetër i gjashtë janë vërtetë një logjikë e pabesueshme.

Sipas mbështetësve fanatikë, atij burrit i mjaftuan vetëm katër vite për të na dhuruar tre stadiume, duke i dhënë kështu një shkelm vdekjeprurës historisë së vendit. Dhe filloni të numëroni: Njëri që u ngrit mbi “Ruzhdi Bizhuta” dhe që në gjuhën moderne quhet “Elbasan Arena”, tjetri mbi shpatullat e “Vojo Kushit”, më pas “Loro Boriçit” dhe tjetri “Qemal Stafa”, që do i thërrasin Arena e dikujt. Por sado virtuoz të jetë, këto nuk janë atribute që i meriton dikush, por koha që ecën, por edhe ajo politika me të cilen flirtuam. Meritë e tij është, që si askund tjetër, në Shqipëri nuk ka fusha ku të stërviten fëmijët, por ekziston vetëm pasioni i tyre dhe Ligat Amatore që i rrjepin. Madje pikërisht për këtë meritë kanë të drejtën e atyre votave që i kanë hedhur paradhënie në kutitë e votimit. A po, meritë ekskluzive e tij është ndërtimi i një kompleksi për ekipet kombëtare në periferi të Tiranës, i cili është dhënë me qera për një pjesë të mirë të skuadrave të vendit dhe që nuk frekuentohet vetëm nga ekipi Kombëtar.

Pra, Federata e tanishme ka ndërtuar një ambjent jo për publikun, pasi prej kohësh nuk është më institucioni i tij, por thjesht për biznes. Çfarë merite tjetër ka ai dhe ata duartrokitësit e përhershëm? Po mbajnë gjallë prej kohësh një luftë brenda llojit, Shqipëri – Kosovë. Po mundohen t’i marrin lojtarë të gatshëm vëllait të vogël përtej kufirit, po e ndukin, pasi nuk kanë mundësi të prodhojnë asgjë që të jetë vetëm e jona. Në një prononcim të tijin, vetë presidenti i FSHF-së, kur u pyet pse Lilaj nuk është preferuar për Kombëtaren, pasi i meriton edhe pyetje të tilla kaq teknike, u përgjigj, se pengesë është kampionati ku luan dhe duhet të ndjekë shembullin e Latifit, për t’i shkuar më pas mendja të na përfaqësojë. Pra shpërfilli pikërisht kampionatin që organizon vetë, me arbitrat e bahçes dhe komitetin “e shpëtimit” që i përshëndet çdo vendim. Lilaj që ka shkëlqyer me Skënderbeun ishte shumë më pak i fisëm se Latifi i hungarezëve të Pushkash Akademi, skuadër që vetëm emrin ka të fisëm.

Reth 50-60 vjet më parë u ndërtuan stadiume në çdo qytet të vendit, më pas i humbëm të gjitha standartet për hir të errozionit të kohës dhe rrezikonim të mos luanim më në shtëpi një ndeshje të rëndësishme ndërkombëtare. Edhe Maqedonia ka tani një “Filipi II” të mrekullueshëm dhe kështu që për hir të ujërave që lëvizin edhe pa dëshirën tonë, e meritonim një “Qemal Stafa” për të qenë. Kjo nuk është çështje gjenishë virtuozë, por çështje evolucioni. Në teorinë e tij, Darvini nuk u bazua tek talenti i Moxartit, por se si koha na u imponua, për të na larguar nga moçali.

sfidanti.al