Faleni edhe këtë herë Skënderbeun! Orakull Muça, mos na e trego filmin…

Nuk mbetet pa orakull Superliga! Një vit më pare, në lojë ishte kryetari “magjistar” Mziu, i cili u paraprinte ndeshjeve të Superligës, duke zbythur pokerin e pisët të atyre që kurdisin orën e antifutbollit në prapaskenë. Këtë sezon, orakulli nuk është Mziu, por Shkëlqim Muça, që po shkëlqen duke parazbuluar regjinë e filmit tragji-komik. Pas 3 humbjeve “aksidentale” të Skënderbeut, ish-trajneri kampion parashikoi edhe një humbje tjetër..atë me Kamzën! Dolën edhe nëpër studio misionarët dhe avokatët e sistemit, gati për të thënë se Muça nuk është më ai futbollisti i madh vizionar, por një spiun pa pagesë, i cili nuk e paska merituar as titullin kampion me korçarët. Aq u zemëruan ,sa inati u ngjit në altar kur thanë se Shkëlqim Muça, kur ka qënë trajner i Dinamos ka provuar një kalvar më të gjatë humbjesh të stisura, se sa ‘luftëtarët e rremë” të Skënderbeut..
Ndofta Skënderbeu dhe trajneri Shehi, këtë sezon të mbushur me turp dhe aktrim të dalë boje në fushë,( pale kur bëjnë sikur do ta mbytin arbitrin) ishalla, nuk synojnë të thyejnë rekordin e Muçës. Veç një gjë duhet thënë: në një garë futbolli ku të gjithë gënjejnë me top dhe pa top, roli i Skënderbeut duket si një kompensim i pamëshirshëm i së kaluarës. Dikur trazohej keqazi brendia e kampionatit për hir të Skënderbeut, kurse këtë herë, janë vetë ata që po përdhjesin garën. Duket sikur nuk u bën më përshtypje nga asnjë lloj tradhëtie sportive, lëre pastaj kur dëgjon frazën “e sinqertë” të trajnerit Shehi se ekipi po përjeton një muaj të mallkuar…
Sfidanti.al