Në katër sezonet e fundit, ajo skuadër që ka dalë kampione e dimrit, ka fituar edhe titullin në Premier Ligë. Mohamed Salahu, pra, është bërë si Babagjyshi i Vitit të Ri i Liverpulit, pasi me golin dhe asistin në “Molino” i dha jo vetëm fitoren 2-0 ndaj Uolvesit, por edhe kryesimin përfundimtar për 2018-ën. Sulmuesi egjiptian ka 11 gola në kampionat dhe 14 gjithsej këtë edicion.
Salah shënoi golin e parë, pas kombinimit të Fabinjos dhe Sadio Manesë, ndërsa dha pasimin për rrjetën e dytë, realizuar nga Van Dajk. Liverpuli ka 48 pikë ndaj 44 të Sitit, që luan sot në fushën e vet ndaj Kristël Palasit. Skuadra e Jurgen Klopit është e vetmja pa asnjë humbje në Premier Ligë, me 15 fitore e 3 barazime, kur është mbyllur gati gjysma e kampionatit.
Një statistikë tjetër e ndihmon Liverpulin që të ketë besim, pasi në 9 sezonet e fundit, 8 herë është shpallur kamopione, ajo skuadër që ka qenë në krye për Vit të Ri.
Sfidanti.al