Mjeshtri i vjetër dhe i Riu, Rojs e Sanço janë heronjtë në Dortmund

Xhejdon Sanço tregoi edhe një herë se përse klubet më të mëdhenj të Europës po mendojnë për të. Talenti 18-vjeçar anglez realizoi një gol individual për Dortmundin, në duelin e kreut të Bundesligës, ndaj Borusias së Mynshengladbahut, duke qenë një nga heronjtë e fitores. Heroi tjetër ishte kapiteni Marko Rojs, që realizoi rrjetën tjetër në suksesin 2-1. Dortmundi ka 39 pikë ndaj 33 të Gladbahut dhe të Bajernit (që mund të ngjitet në vend të dytë pas ndeshjes së orës 18:30 në Frankfurt).

Rojs është Mjeshtri i Vjetër i Dortmundit, ndërsa Sanço është i Riu. Borusia fitoi një duel me Sitin (klubi që e formoi si lojtar), por edhe me Realin, duke i premtuar minutazh më të madh si titullar. Basti i trajnerit Lysien Favre mund të quhet i fituar, pasi Sanço ka shënuar 6 gola në Bundesligë deri tani (në 17 ndeshje) dhe 7 gola gjithsej në sezon. Aspak gjë e vogël për një 18-vjeçar.

Reali dhe Barcelona vazhdojnë ta ndjekin, Pep Guardiola padyshim që po mendon që ta rikthejë në “Etihad”, ndërsa Dortmundi dëshiron fillimisht të fitojë titullin me Sançon në ekip, dhe pastaj të fitojë një shumë të madhe financiare, kur ai të largohet.

Sfidanti.al