Edhe “Skënderbeu” nuk paska  motër! Blasfemi në “Arena”…

Vite më parë, në një ndeshje që u shpall e pazakontë për hir të një deklarate, tifozët u bashkuan në një kor banal,  duke sharrë  arbitrin nga ..motra! Por, ajo që ndodhi më pas, në një deklaratë të policisë, sikur i “bekoi” sharrjet  një herë e përgjithmonë . U quajt “goli i vitit”  kjo frazë mbi letër: Arbitri s’ka motër!  Qysh atë ditë, kjo  skenë na përsëritet shpesh ,  është bërë modë në Superligë, madje mund të shahen të gjithë motrat e futbollit, me përjashtim të njërës , “motrës së  FSHF-së”.  Madje,edhe  në stadiumin “Arena”,  ku kumbimi i zërit  thekson edhe më shumë sharrjet,  kjo  blasfemi  sportive  për nga zhurma që krijon.. mund të matet me “ballë” e jo me decibelë.

Rasti më i fundit ishte në ndeshjen Tirana-Skënderbeu, sidomos në momentet kur korçarët ishin bërë zotër të fushës , kur kishin marrë në dorë frenat e lojës dhe po argëtoheshin me topin si në kohën e tyre të artë,   dëgjohet “himni fatal” i korit të tifozëve  vendas,  që zemëratën e tyre  e  shkarkonin tek motra e kundërshtarit ,  i cili bëhet shumë i hidhur kur shfaqet para bardhebluve dhe shumë ndryshe për disa të tjerë. Siç duket, ky Skënderbe, që  ngjason me një kamaleon për nga ngjyrat që merr në varësi të kundërshtarit,  nuk honepset edhe kur luan bukur, edhe kur “harron” që është i dënuar gjatë në Europë!

Në lojën tonë, ku kulti i rezutatit  është  bërë si një bust që e lartësojmë nga java në javë, kjo ndeshja Tirana-Skënderbeu , përveç autogolit me “motrën” e Skënderbeut, do të kujtohet edhe për një arsye më pikante.  Vite më parë, në kohën  kur korçarët sundonin fushën,  por edhe mbroheshin nga “zotat”,  ishte Tirana që vuante  nga sindroma e të përndjekurit. Sa herë që vibronte  bilbili i arbitrit në momente deçizive, dihej me siguri se bardheblutë do të ishin të penalizuar. Por, ç‘hata ka ndodhur këtë sezon, ku të gjithë qahen dhe mbajnë pranë kokës peshqirin e lagur, ndërsa bardbelutë kanë vetëm një hall luksi: të fitojnë titullin kampion, për të nderuar 100- vjetorin e lindjes!  Dhe sipas zakonit shqiptar, të atij zakoni që na e kanë mësuar përmendsh çunat e sistemit,  le të besojmë se  Tiranën nuk po e sulmojnë ( madje po e përkëdhelin) vetëm  për hir  të ditlindjes dhe jo për arsye të tjera, më madhore, më fitimprurëse,  sesa  një tortë titulli…

G.Sinemati

Botuar ne Panorama Sport