Paskemi qënë mirë kur arbitrat i duronim vetëm për ato që bënin në fushë dhe nuk dëgjonim përralla nw mikrofon apo në gazeta sepse u kishin prerë gjuhën. Mbahet mend rasti unikal dhe s’do të harrohet, kur Enea Jorgji në një ndeshje fatlume, fitoi telebindon pas një beteje që e bëri lesheli, duke eksperimentuar dhe automaviolën pas gafave rrezatuese. Ditët e fundit, fati i përmbysur kokeposhtë i arbitrit Jemini, në lidhje me pronarin e arbitrave, presidentin Duka, ka provokuar intervistën maratonë të viktimës më të freskët. Jemini ka folur gjatë, i ka vënë në gjumë gjithë ata që shpresonin të mësonin se si kurdisen skenaret para ndeshjeve, si kursiden kukullat e zeza apo ndryshe “barbit me bilbil”. Më i miri në fushë, kur gjykonte me kompetencë dhe me poza autoritare, sapo është flakur nga “pindërit zyrtarë”, shëmbëllen me një të penduar që do të flasë gjatë, pa i rënë shkurt gjërave, bile duke qerasur me karamele edhe dhunuesit e tij, presidentët. Momenti mw pikant, a e dini kur mbërrin, sapo Lorenc Jemini pyetet nëse ka marrë ndonjë shpjegim nga presidenti Duka për këtë përjashtim spektakolar për nga stili, apo e ka takuar personalisht “mbretin”. Ata që besojnë tek filmat që luhen me top e me bilbil , kanë mbyllur sytë dhe kanë hapur zemrën në momentin kur Jemini ka dhënë përgjigjen e thatë: “I shkrova mesazh dhe as më ktheu përgjigje”.
Besoni apo s’besoni, “mbreti’ dhe Jemini janë takuar kokë më kokë. Ndryshe nga herët e tjera, kur duhej paracaktuar me besueshmeri fiTuesi dhe humbesi. Këtë herë, takimi ishte krejt ndryshe, siç ndahen dy të dashur që kanë përdorur njëri- tjetrin. Në ditët me diell, kur të dy ishin më të mirët, njëri në tribunë dhe tjetri mbi bar, kuptoheshin me sy , sa fjalët ishin të tepërta, për atë që do të ndodhte në fushë. E dini çfarë i ka thënë Duka arbitrit tradhëtar, që kishte “vrarë” pa lejen e tij? Le të thotë Jemini se nuk janë takuar, por dialogu ka hyrë me meritë në muzeum e mëkateve “ Pse mërzitesh, o Lenco? Kështu e ka kjo punë, o robo. Ti ishe më i miri, sa i luaje ato me kokën tënde..” Të gjithë arbitrat e lënë kokën në shtëpi kur nisen për ndeshje, sepse marrin një tjetër në laboratorin e FSHF-së, Jemini i lodhur duke marrë kokën borxh, sepse as nuk ngjasonte me ushtarët e tjerë, vuri prapë kokën e tij këto vitet e fundit. Një kokë që dinte aq shumë dhe kishte fituar aq pushtet, sa ishte gjynah që të mos dilje pak nga reshti…
Sfidanti.al