Mbrojtësi serb i lartpërmendur, shumë vite me radhë, ka qenë shtylla e Mançester Junajtidi dhe ai dallohej për lojën e fortë dhe kurajon e madhe, prandaj edhe ishte një nga beniaminët e tifozëve të “djajve të kuq”. Duelet e tij me Drogban dhe Toresin do të mbahen mend për një kohë të gjatë në historinë e Premier Ligës, por, ndërkohë, ai ka qenë edhe objektiv i veprimeve josportive dhe “të pista”.
“Unë nuk kam pasur shumë rivalë ‘të pistë’. Ndoshta, lojtari më ‘i pistë’ ishte një personazh që luante me Sathemptonin, ndërsa, më vonë, ai luajti edhe me Liverpulin, Riki Lampert”, vuri në dukje Vidiçi, duke shtuar se në ndeshjen e fundit të Junajtidit me Sauthemptonin, ai u detyrua që të dilte jashtë nga fusha me fytyrë të gjakosur mbas një dueli me Lampertin. “Ai më goditi me bërryl në kokë. Si mund ta përballosh një gjë të tillë? Nuk ke se çfarë të bësh. Që nga ai moment, ai u bë për mua një njeri i vogël. Madje, më erdhi keq, sepse, gjatë karrierës sime, unë nuk kam njohur ndonjë lojtar tjetër që donte të godiste qëllimisht”, tha ish-mbrojtësi i Junajtidit.
Sfidanti.al