E donit Spanjën me halle referendumi? Shyqyr Zotit.. vetëm 3 gola!

Nëse do të kujtonim gënjeshtrat e Kombëtares para ndeshjes me Spanjën, se do t’i befasonim meqë ishin me hallet e referendumit, apo se do t’i bënim një nder historik Italisë se Panuçit,  vetëm 3 gola në portën tonë janë për t’u puthur.  Humbja mund të kishte patur përmasa të tjera nëse Isko me shokë nuk do të “shkonin” në  shtëpi në pjesën e dytë, ndërsa futbollistët tanë do të ngjalleshin nga vdekja klinike,  sapo zotët e shtëpisë na dhanë mundësinë të preknim topin në 45 minutat e dyta..  Të mësuar me një ekip që flet shumë para ndeshjes, në mënyrë të pacipë fluturon mbi re dhe me një trajner që e kalon stekën e De Biazit me eksperimente,  kjo humbje do të futet në muze si një turpërim i ëmbël në krahasim me ndeshjen e Shkodrës. Në Alikante, duke përfituar edhe nga shpirti bujar i lojës spanjolle, kemi goditur dy herë shtyllën, u oksigjenuam  në pjesën e dytë, për të ngushëlluar veten dhe për t’i dhënë zemër trajnerit Panuçi, që vetdehet me iluzionin se “ nuk ka shumë ekipe që e sulmojnë Spanjën me 4 apo 5 raste në portën e tyre”.

Ajo që ndodhi me Spanjën mund të quhet një humbje me pak dinjitet, në krahasim me humbjen në Shkodër, ku u shkelën të “drejtat e futbollit” kur na privuan të kalonim mesin e fushës, dhe jo të na bënin një dhuratë kaq madhore sa të dorëzonin fushën dhe topin .  Fundja të gjithë e kemi mësuar përmendsh skenarin e lojës kuqezi, kur futbollistët humbasin busullën dhe lidhjet në pjesën e parë dhe “qartësohen” nga koka në pjesën e dytë, sidomos kur na jep një dorë edhe kundershtari. A do ta shikojmë këtë film edhe me Italinë? Trajneri Panuçi, që thotë se i pëlqejnë futbollistët kurajozë si Pike që flasin hapur, e paska kapërcyer orbitën e sinqeritetit kur në prag të ndeshjes me ta, qetëson më shumë shpirtin Italian se atë shqiptar me fjalët “ Italia do të jetë në Botëror..”

Sfidanti.al