Shumë vite më parë, kur shikonim filmin “Kali i Trojës”, e gjithë kinemaja mbytej në lotë se e dinin që Parisi ( i dashuri i Helenës së bukur) do të vritej në fundin e filmit. Në kinemanë tonë të Superligës, sidomos kur luan Vllaznia, mund edhe të qash ende pa filluar “filmi” , pra ndeshja, dhe lotët nuk të shkojnë dëm…
Bëma e fundit ndaj saj, sepse na kujtoi atë historinë me dardanelet sidomos kur flet edhe pala përfituese! Olsi Rama, i bie nga Kina, për të shpjeguar përse arbitrat ia kullufitën golin Vllaznisë ,tamam mu në fundin e fundit të ndeshjes, në “katin shtesë” të ndeshjes .
“Mbaj mend një herë e një kohë një ndeshje të Juventusit ndaj Bajernit që thoshte Alegri se dua të dalim 0-0. Por atëherë ishte rregulli i golit në fushë kundërshtare, kurse tani nuk është më…”
Sikur t’ia kishin hequr Partizanit atë gol, që ishte për t’u puthur në ballë, do të dëgjonim një histori tjetër nga Rama i futbollit, nuk do të fliste për dardanelet dhe për Alegrin, por për arbitra “pica-taxi”, që kanë gjetur një armë të re për të vrarë golat, një armë që duket sikur jo rastësisht quhet VAR sepse i dërgon golat që prishin punë në ..funeral!
Dhe Vllaznia, të cilën e kanë rrahur qysh të “vogël” këta babushët e sistemit, nuk di as të qajë vetë, por pret që ta qajnë të tjerët. Presidenti i Vllaznisë, Xhaferri ka frikë të ankohet me zë të lartë,të thotë publikisht se kjo loja macja me miun mes ekipit të tij dhe ekipit të arbitrave, është një ligësi e telekomanduar. Duket si një film aksion me temë futbolli, shumë i njohur për nga skenari, ku rregjizori , si për dreq, nuk e ndryshon viktimën. Ajo do të quhet përherë… Vllaznia!
Sfidanti.al