Dyshoje për gjunjët e Partizanit në muajin mars? Po 9 pikë, mjaftojnë president..

Nëse do të kishte një javë me shumë arsye për të kujtuar batutën e presidentit Gjici të Kukësit lidhur me gjunjët e Partizanit, kjo javë ishte ideale . Tamam tamam batuta e tij ishte ndjellëse: “ Do ta shikojmë në muajin mars se sa i mbajnë gjunjët Partizanit”. Dhe fjalët e tij në vesh të djallit dhe jo të perëndisë! Ndërsa Kukësi është mundur në Korçë sa u hapën “dritat” e skenës, qysh në minutat e para, Partizani i dha fund me 3 gola përrallës se Teuta do t’i hante kokën në fund! Në Korçë, trajneri i Kukësit, Cungu ka përjetuar edhe njëherë skenën “sublime” kur qëndron pas dere duke dëgjuar zërin ndëshkues të preisdentit Gjici ndaj futbollistëve të tij, kurse në Tiranë, trajneri Gega u paska thënë futbollistëve një këshillë “moderne”, disi jashtë kohe në Superligë..që të argëtohen sepse topi dhe koha janë në favorin e tyre..
Fjalë të bekuara për një trajner që zotëron recetën e ekuilibrit si pakkush, një trajner që vetëm në një moment doli nga korniza e kuqe, kur tha frazën historike të sezonit se “ futbolli vdiq pas kësaj ndeshjeje..”. Por, në të bekuarën Superligë, vdekja dhe rilindja janë më pranë njëra- tjetrës, aq sa nuk mund të krahasohen me asnjë kampionat tjetër. Partizani, pas vdekjes klinike të asaj jave, u bë më i gjallë se kurrë, me gjunjë që nuk mbajnë vetëm peshën e muajit mars, por edhe peshën e 9 pikëve diferencë nga ndjekësit e tyre, Kukësi. Në këto momente, basti i madh, nuk është më titulli për Partizanin, për thellësia e arratisjes nga rivalët. Sa më larg tyre, aq më i ngushëlluar për mungesën e stërgjatë të kurorës…
Sfidanti.al