Doni arbitër të huaj? Paguajmë miliona për të qepur gojën.

Sa herë që zbarkojnë arbitrat e huaj për të ndarë shapin nga sheqeri në një futboll që vuan nga patologjia e mosbesimit, sepse na duket sikur nuk jemi vetja, sikur lojës i kemi hequr lezetin që na vjen nga frika.  Nga një frikë që na është bërë aq familjare, sa na duket më shumë arëgtim sesa vuajtje kur kontrollojmë fushën përgjatë 90 minutave për të gjetur zonën “ e minuar” nga gabimi.. njerëzor. Pale kur dëgjon  edhe  vetë shefat të thonë se nuk mban më as magazina, ndaj dhe ndalohen gabimet  “made in Albania” në javet e fundit.. Krejt ndryshe sillemi kur arbitri vjen nga Rinasi, edhe pse gaboi në disa raste, sikur të ishte dora jonë, siç ndodhi me sllovenin Jug, të cilit ia  besuam verbërisht “vaktin e zemrës”  në garën për titull mes Partizanit dhe Kukësit.  Një slloven i madh në altarin e futbollit, Ceferini, na e drodhi kur erdhi puna për një “biletë” në UEFA, ndërsa një slloven i vogël, arbitri Jug, na hoqi lakun nga fyti  për një ndeshje, ku vetëm një shqiptar mos t’i frynte bilbilit. Çfarë shuplake e hidhur me aromë mosmirënjohje, kur e pëson pikërisht nga ekipet që kanë marrë më shumë përkëdheli prej tyre..

Partizani e ka mallkuar barazimin me zë të lartë, kurse për arbitrin e humbi të drejtën morale për të treguar me gisht nga..maviola. Ajo që dëgjohej më shumë ishte  se futbolli  është i pabesë, saqë  fati dënoi topin që të mos futej në rrjetë.  Në qoftë se do t’i shpjegojmë gjërat që  ndodhin vetëm me ruletin e fatit, atëhere le të pranojmë se fati ishte i zi këtë herë, por tepër i bardhë kur luajtën me Tiranën. Për Kukësin është ndryshe, pasi nuk janë aq shumë kalorës të fatit, as nuk mund t’i qortosh për mungesën e fantazisë në lojë, pasi janë nisur për të fituar bastin e madhe..për të zaptuar fronin pa provuar humbjen. Edhe në ndeshjen që nuk shënon heroi Pejiç në fushë, “shënon” presidenti Gjici tek porta e arbitrave tanë, madje çan edhe rrjetën: “ Po të ishte arbitër shqiptar, do të jepte penallti për Partizanin”.  Të shkretët, edhe kur ai që gabon në disa raste është i huaj, prapë shuplakën e ha shqiptari..

 

Gëzim Sinemati

Botuar ne Panorama Sport