Derbi s’ka frikë nga koronavirusi, por nga..Tirona-virusi!

Ky  Derbi i fundit ishte “mbret” i shifrave, jo vetëm për tifozët e pranishëm, por edhe për bollëkun e golave, edhe për ndarjen prepotente të tyre në favor të Tiranës. Edhe ata  që e urrejnë për vdekje për Partizanin( urrejtje në limitet sportive) as nuk u shkonte mendja që rezultati do të ishte kaq sarkastik : 5-1 për Tiranën! Një rezultat që i dha kuptimin më të vërtetë  parrullës flakëruese  në stadium : Tirana është droga ime! Për Partizanin, përjetimi i një drame të tillë shokuese, do të kujtohet me shije të dyfishtë: edhe si tragjik, por edhe si ..”komik”!  Fati u shpall tragjik se në 5 golat që mblodhi porta e tyre,  ndikoi shumë një episod, i cili provokoi lindjen e  pyetjes shekspiriane: Ishte apo nuk ishte.. kartoni i kuq? Ai karton, i cili  preu si me thikë historinë e ndeshjes, një karton që edhe pse thuhet se është i ligjshëm nga rregullorja, duket i paligjshëm po të kujtosh sjelljen me shumë fytyra të arbitrave nëpër ndeshje. Po përse komik? Sepse Partizani, cilado qoftë vepra e arbitrit Xhaji, këtë herë, sulmoi edhe portën e tij me autogolin dhe gafat në mbrojtje!

Le të mbyllim veshët dhe të mos dëgjojmë atë që thotë Tirana nga tërbimi i ndeshjes, por  dhe Partizanin nga zhgënjimi  kampion, nga dhunimi në rezultat. Sepse po të vishesh bardheblu, dhe të kujtosh picirin që ka hequr Tirana ndër  vite, kjo që ndodhi me arbitrin, qoftë edhe i tepruar kartoni i kuq, është si një karamele simbolike. Po të heqësh uniformën e Tiranës dhe të vishesh me të kuqe, si “dem i palgosur”,  ajo që ndodhi merr ndjesinë e një dyshimi, që nuk është vetëm punë arbitrash. Sepse ata sipër, jo ata në qiell, por pronarët e “kazinosë me top”   nëpër zyra, një vit më parë , arbitrave u kishin vënë sytë e snajperit , me të cilët të gjithë vuanin, kurse Partizani kishte gjetur ishullin e lumtur brenda një xhungle! Nuk duhet të çuditemi, as të zemërohemi, që më në fund,  i erdhi radha Tiranës…

G.Sinemati

Botuar ne Panorama Sport