“Derbi” jetë a vdekje i Gentian Muçës sfidon derbin që pompohet me armiqësi!

Vetëm kur flitet për jetën, armiqësitë e futbollit duken si gjëra pa vlerë! Fjalët e Gentian Muçës, futbollistit të Tiranës që luftoi i vetëm për dy vite dhe trimfoi në “ndeshjen kundër vdekjes” vlejnë më shumë se tërë orbita armiqësore e një Derbi. Fjalët e tij janë të denja për një kornizë me vlerë jetike, në një kampionat që dhunën e shet si stoli :
“ Meqë jemi në prag të Derbit, dua të them se kam patur mbështetje morale, por edhe financiare nga Partizani!” Kur dëgjon këto fjalë që dalin nga shpirti i futbollistit dhe jo nga “djalli” i një Derbi që ushqehet me armiqësi, askush nuk guxon të thërrasë parrullën asgjesuese : “Mbyte Partizanin, mbyte morin e kuq”. Jeta është e çmuar, edhe pse gara që stisim prej vitesh na mëson të kundërtën. Përse u dashkan momente dramatike si ky i Gentian Muçës, që të kuptojmë se futbolli, apo zemra e tij vullkanike, ndeshja Derbi, sado adrenalinë shkaktojnë, nuk maten dot me vlerën e jetës!
Thuhet se këtë herë Tirana do ta përmbysë mallkimin në Derbi dhe ajo që pritet të ndodhë do të tregohet si një vepër e madhe morale, si një “jetë e dytë” e një kampionati që kishte marrë në gjoks brirët e “demit të kuq” dhe fundi ishte sa për të lënë.. testamentin. Por, nëse fiton Partizani, siç e kemi mësuar përmendsh filmin e Derbit në “Mileniumin e fundit” , do të kuptojmë se “ndeshja për jetë a vdekje” është njëshpikje iluzive nëpër faqe gazetash apo në ekrane, sepse me vepra e ka marrë ferra uratën. Pra,cili do të jetë fituesi të premten, dita që po vjedh me sukses pushtetin e së dielës, sepse bastet na mësojnë se të gjitha ditët janë të “diela” dhe futbolli që dikur të futej në zemër, tani të futet në..xhep!
Le presim të premten, qoftë e bardhë, me dyzimin : fiton Tirana apo Partizani? Sido që të shkojë puna, fituesi më i madh i derbit është Gentian Muça, futbollisti që me shëmbullin e tij tregon se kur jeta fiton mbi vdekjen është ndeshje e vërtetë, sepse ajo e futbollit, duket bukur në pasqyrë, por nuk është e tillë…
Sfidanti.al