Tashmë duket se edhe vetë derbi ka filluar të mësohet me këtë periudhë të pazakontë që po jetojmë, duke humbur zhurmën, pjesën më të rëndësishme që e bënte ndryshe nga ndeshjet e tjera të kampionatit. Jo vetëm që u luajt të enjten, por as në kryeqytet, sigurisht edhe pa praninë e tifozëve, ndërsa ata të paktët që kishin shoqëruar skuadrat e tyre u përleshën me njëri-tjetrin në rrugët e Elbasanit. Ndërkohë që u zhvillua në mes të etheve të merkatos, që në Shqipëri nuk i ka shumë të qarta stinët.
Drejtuesit e Tiranës kanë marrë një iniciativë të çuditshme, duke shpenzuar miliona, pa pasur një ide shumë të qartë, se për çfarë do t’i shërbejë i gjithë ky investim. Pas një gjobe mbi 300 mijë euro që është i detyruar të shlyejë, presidenti Halili do të paguajë edhe për shërbimet e Taulant Seferit, Zhoselin Behiraçe dhe së fundi edhe për sulmuesin finlandez Tim Vairinen, i cili u prezantua pikërisht në ditën e derbit. Ndërkohë që kampionët në fuqi janë aktualisht 15 pikë larg kryesuesve të Vllaznisë, me këta të fundit që nuk kanë ndërmend të presin derisa milionerët e rinj të ambjentohen me shtëpinë e tyre të re tek “Qyteti I Nxënësve”. Ndërsa që pjesa më e keqe e skenarit është, që për të përballuar këtë kosto shtesë kaq ekstravagante ka shumë mundësi që të nxitojnë të shesin Muçin, një fubollist me talent që “stonon” me cilësinë e futbollit tonë, nga i cili rrezikojnë të mos marrin vlerën reale, por ta përdorin thjesht si kompensim për investimin e ri. Dhe veç të tjerave, pa titullin kampion edhe në ëndërrat më të bukura, Tirana nuk mund të rikuperojë financialisht nga pjesmarrja në Europë, për t’u bërë gati për sezonin e ardhshëm.
Madje Partizani që e mundi është shembulli më i mirë për Tiranën dhe skuadrat e tjera të superiores, të cilat ndërtohen në verë, ndërsa në dimër ndryshojnë sërish fizionominë. Pas zhbllokimit të merkatos, klubi i kuq është zhytur në tregun e paqartë të futbollistëve, por tre pikët e arta në derbi ia dha pa sforcuar shumë, pikërisht Eraldo Çinari, i rikthyer pas një dënimi dhe që kishte gjashtë muaj pa luajtur futboll të vërtetë. Ashtu si Kukësin e akademikëve një ditë më parë, që për ta kthyer sërish në garë u mbështet tek 20 vjeçari Peposhi, djali i shtëpisë që vraponte si i çmendur.
Megjithëse pak merkato është e nevojshme gjithsesi. Futbollit shqiptar i nevojiten arbitra, që të paktën të mos bëhen qesharakë. Enea Jorgji nuk i la asgjë stemës që mban në gjoks, por nuk është i vetmi në këtë system të ngritur. Dhe tashmë jemi vërtetë në një situatë emergjente që mund të titullohet më së miri “Gabim Njerëzor”, pasi dikush ka gabuar me qëllim, duke u dhënë kaq shumë mundësi.