De Biazi flet për dorëheqje! Përse tani, dhe jo pas Izraelit?!

“Do të flas me presidentin”. Për dorëheqjen? Kjo është një nga hipotezat lidhur me të ardhmen e De Biazit në stolin e Shqipërisë. i ngacmuar pas takimit me Italinë, njeriu ynë i stolit tha fjalët e tij, dhe ato mund të ishin marrë si batuta nëse nuk do të kishte qenë fjalia e fundit, “do të flas me presidentin”. “Hipoteza e dorëheqjes? – ia bëri De Biazi, – jo, është ende shpejt. Të kalojë kjo natë, dhe pastaj do të flas me presidentin”.

E habitshme që specialisti i stolit flet kështu pas humbjes krejt normale, 0-2 në fushën e Italisë, ndërsa nuk ishte aspak në këtë linjë pas disfatës së rëndë 0-3 në “Elbasan Arena” ndaj Izraelit. De Biazi u trondit shumë nga sjellja e një pjese të tifozëve që hodhën tymuese në fushë aq sa ndërprenë ndeshjen për 8 minuta. “Në këta 5 vjet, këtë gjë nuk e kisha parë kurrë”, – tha ai. Përsa i përket ndeshjes, trajneri pranoi se “humbja ishte e drejtë, por unë jam i kënaqur nga loja e skuadrës”. Tashmë, duhet të presim nëse do të ketë bisedime mes De Biazit dhe presidentit të FSHF-së, Duka dhe, nëse po, çfarë do të dalë prej tyre.

Sfidanti.al