Sa herë që jepeshin penallti budallaqe, nga ato që vetëm arbitrat tanë mund t’i fërshëllejnë, kërkonim ngushëllim tek shpjegimi komik : “ Duket sikur duket, por, në fakt, nuk duket si penallti”. Përse na u kujtua këto ditë kjo perlë dyzimi ? Sepse edhe presidenti i FSHF-së, zoti Duka, në fjalën e tij drejtuar klubeve të Superligës, këto ditët e fundit, ka dhënë një “penallti” që duket sikur duket, por ..s’duket! “Futbolli në kohën e Pandemisë duket sikur ka kosto financiare, por kultura në shoqërinë shqiptare nuk është shumë e mirë. Duket sikur ka kosta financiare, por nuk ka…” Cfarë shpjegimi mrekullues, antirregulli na ndihmoka për të mos i patur frikën COVIDIT, madje ai të na e ketë frikën dhe jo ne…
Atëherë, ç‘presim? O burra ta fillojmë Superligën! Duket se UEFA ka humbur shansin e madh që pret “rilindjen e jetës” nga Bundesliga, sepse Superliga shqiptare ka dy dekada që është imune, e mësuar dhe e stazhionuar të sfidojë “viruset”, meritonte të ishte kampionati i parë që do ta thyente mitin e COVIDIT, madje dhe me shpenzime ..xhepi! Siç e theksoi edhe shefi, në një vend ku rregullat kanë lindur për t’u sulmuar , duket si shkelje e të drejtave të njeriut, kur berberët dalin në “fushë” para futbollistëve ! Mjafton që të mos pimë ujë nga e njëtja shishe, secili të marrë makinën personale dhe dhomën e vet në hotel..se shpenzimet do të jenë “simbolike”. Le të flasë bota dhe Europa e futbollit për miliarda dhe miliona të humbura, ne jemi një specie tjetër financiare. Mirë që s’themi se kur bota humbet, në fitojmë ! Pse nuk është fitore kur thuhet publikisht se vetëm 2 % do të shpenzojmë më shumë klubet tona në këtë situatë kolapsi…
Sfidanti.al