Lajmi i fundit për stadiumin “Air Albania” është më i bujshëm për nga stili ! Stadiumi “Air Albania” do të shndërrohet në një qëndër të madhe vaksinimi! Në një qytet ku hapësira sa vjen e bëhet më e vogël, stadiumi mbetet vendi i bekuar për vaksinimin dhe distancimin social dhe pse ka ndryshuar kryekëput destinacionin. Pale kur kujton se krerët e partisë, së “topit të shfryrë” kishin kohë që i binim tam-tameve se në këtë stadium po pritet të bëhet një finale e madhe europiane, e cila me kalimin e ditëve po tretet e po bëhet një “finale e vogël”, se si quhet.. Kupa e Konferencave.
Një stadium i ri që lindi me fushë të vjetër, një ndër rastet më unikalë në kohën e hovshme të ngritjes së stadiumeve, ka shansin e madh të lajë “mëkatet”. Dhe jo vetëm me futbollin, por edhe me sëmundjen e kohës..Pandeminë! Cili na qënka ky borxh me virusin ? Ishte i vetmi stadium në Europë ku flitej për mungesën e tifozëve, për praninë e gropave në fushë, për bukurinë e tij ballkanike, gati sa nuk thonim se ky impiant është kaq ndryshe nga të tjerët, sa Covidi është i tepërt në radhën e viruseve, ndaj edhe nuk bëhen tampone për futbollistët…
Ky vendimi qeveritar për ta bërë stadiumin “Air Albania” qëndër vaksinimi për popullatën e kryeqytetit, paska kënaqur edhe vetë të ..pakënaqurit e FSHF-së. Tamam-tamam..liderin e të pakënaqurve, presidentin Duka. Ata që nuk gjejnë rast pa u qarë se skandalin e fushës do ta mbulojnë me paratë e tyre, pa ndihmën e Qeverisë, këtë radhë kanë bërë një “rofeshatë” të pabukur. Reagimi i presidentit Duka në emisonin “Paso” në Radio –Top Chanel , duket si një përkëdheli e radhës në serialin e pozave :
“ Stadiumi “Air Albania” qëndër vaksinimi ? Jemi gati të japim edhe shtëpitë jo vetëm stadiumin..” Çfarë bujarie, edhe pse ishte e kapshme doza e ironisë që u tret në eter. Futbolli që nuk di se ku e ka shtëpinë e vet , qënka gati të hapë dyert e shtëpive! Me hir apo me pahir? Kjo kuptohet kur ndjek se thumbi i intervistës nuk ngjitet lart në majë të Shetit, por zbret tek ministrja e Shëndetsisë:” Shyqyr që jetojmë në kohën e Manastirliut, që do të na bëjë vaksinën..” Sikur ta njihte pak futbollin kjo zonja Manastirliu, do ta kuptonte se futbolli e ka “gjetur” vaksinën 20 vite më parë me “Piperon” e tij. Një vaksinë ndryshe: që nuk e lufton virusin e lojës , por e mban gjallë!
Sfidanti