Trajneri De Biazi ka kopjuar stilin e presidentit Duka. Flet kur beteja ka mbaruar me kohë, bile ka filluar të harrohet sipas stilit tonë. Nuk është dhe aq i besueshëm kur thotë “ Me Spanjën dështuam të sajonim grackën që i ngritëm Portugalisë”. Një plan që mbetet në kufinjtë e një iluzioni, kur kujton se në ndeshjen me Spanjën jemi fortifikuar në mbrojtje, dhe në asnjë rast, sa për lezet, nuk e kaluam mesin e fushës. Bile dhe në një rast që Roshi guxoi të prishte letargjinë shqiptare të lojës, trajneri paska thirrur nga stoli: “ Roshi, shiko portën tënde dhe jo të kundërshtarit!”.
Ndeshja me Spanjën, si dhe ndeshje të tjera të cilave u arratasime me dëshirë, kujtohet vetëm nëpërmjet polemikës dhe jo analizës. Trajneri De Biazi, i cili mirëpret vetëm kokolisje në media, nuk ka humbur rastin të sulmojë Astrit Hafizin, një ish-trajner që shigjeton lojën që drejton ai. “ Hafizi ka patur një brez të shkëlqyer futbollistësh dhe nuk ka arritur asgjë” – ka hedhur dorashkën italiani për trajnerin shqiptar. Pakkush beson se Xhani ka parë ndonjë filmim të Kombëtares së atyre viteve, por finalet e Francës vlejnë më shumë se çdo histori. Dhe Hafizi nuk ka kurajon t’i thotë De Biazit se, me brezin e tij të shkëlqyer, po të kishteedhe një president magjistar si Duka, me siguri do të kishte provuar para tij shijen e finaleve të mëdha.
Gëzim Sinemati