Nuk është tipi që fshihet Xhixhi Bufon dhe për këtë nuk dyshon askush në Itali. Këtë radhë, edhe pse ka arsye për të festuar paraqitjen mbresëlënëse me Lionin, kapiteni i Juventusit i bie kambanës së alarmit për shokët e tij të ekipit: “ Nëse kemi një pretendim real për të shkuar në majën e Europës, ne duhet të përmirësohemi, sepse ajo që po bëjmë nuk mjafton”. Në mjediset e Juves, kur flet një si Xhixhi, të gjithë e kuptojnë mirë mesazhin. Edhe pse triumfi me Lionin ka qënë i dukshëm në planin personal, Bufon, ka një merak për atë që ndodh në lojë.
Je i pakënaqur me atë që ndodhi? “A mund të kemi siguri nesër, në një ndeshje tjetër delikate, që të fitojmë duke pritur një penallti dhe duke shënuar një gol si ai i Kuadratos? Në futbollin e sotëm vendosin edhe episodet, por një ekip si Juventus ka një filozofi tjetër”.
Kur e pyesin për Milanin e trajnerit Montela, gardiani i Juventusit ka logjikën e tij të krahasimit: “ Më kujton projektin e Juventusit disa vite më parë. Ata kanë nevojë vetëm për kohë dhe për eksperiencë”.
Po portieri Donaruma? “ Ai ka reflekse dhe është tepër inteligjent. Nuk ka dyshim se do të bëj histori në rolin e tij”.
Xhixhi, po vjen ndeshja me Napolin dhe Juventusi duhet të ketë kujdes nga letargjia që e zuti me Interin? “ Nëse në një moment të tillë, arrin të fitosh me një ekip si Napoli, do të jetë një goditje e bukur për sigurinë psikologjike”.
Cila është mbresa për sulmuesin Higuain? “ Profesionalizmi dhe pozitiviteti janë dy armët e tij të spikatura.
Disa ditë më parë bëtë ironi me “funeralin tuaj” në portë, në fakt, si shikoni nga e ardhmja?
Disa më kanë paracaktuar rolin e trajnerit, por, të them të drejtën, nuk më pëlqen me përditshmërinë e tij. Do të doja më shumë liri për të bërë edhe gjërat që dua. Nuk i dihet, nuk flas dot me siguri se Italia akoma nuk e ka gjetur se cili do të jetë pas trajnerit Ventura.