Ju kujtohet çmimi “Mirënjohje”, që Federata e Kosovës i dha presidentit Duka. Nuk harrohen dekoratat në llojin tonë, sidomos kur flitet për shefat. Pyetja që bënin disa, dukej si një qitje qorre: përse ky dekorim, çfarë ka bërë ndonjë gjë speciale?”. Mos ia hamë hakun, se më shumë nuk bëhet. Për hir të së vërtetës, ata duhet të dekoronin edhe De Biazin, trajnerin tonë, që nuk kursehet aspak për të falur talente në ekipin e Kosovës. Lista po zgjatet frikshëm: Rrahmani, Rashica, Vojvoda dhe së fundi, Avdiaj. A nuk meriton “mirënjohje” për ata që falin talente dhe nuk ndalen edhe pse qahen për varfëri race?
Duket sikur flamurin e dhurimit e ka vetëm De Biazi, po të paktë janë ata që besojnë se në këtë skemë dhurimi është edhe presidenti Duka i përshirë. Një ekip me pikatore në talente, me një kampionat që mbahet gjallë më shumë për alibi, sesa për furnizim me gjak të ri, nuk frenoka dot trajnerin që vazhdon të dhurojë futbollistë të rinj dhe e privilegjojnë duke rasur në listë.. talente të vjetër. Kur përcollëm Rashicën, të gjithë kujtuam se ishte thjesht një kapriçio, por, po ta ndjekësh me vëmëndje sesi vazhdon rituali i dhurimit, bindesh se shefi përmbi De Biazin, i mësuar të lodrojë në hije, e ka pak çmimin “mirënjohje”.
G.Sinemati