Ç‘ne kjo luftë zoti president ? E kemi me Europën apo mes nesh

Si një gol, nga ata që të paralizojnë trupin, ka tingëlluar deklarata e presidentit të futbollit, Armando Duka, kur në ditën festive të fanellës së re të Kombëtares, ka paralajmëruar  se nuk do të jenë ditë të qeta ato që do të vijnë, më shumë luftë sesa paqe. Përse ishin zgjedhur pikërisht këto fjalë ? Disa thonin se fanella e re ka qënë vetëm sebepi, ngaqë në prezantim më shumë reklamohej i zoti sesa vetë bluza. Me zë më të ulët, disa të tjerë i largonin frikën  njëri- tjetrit me logjikën se shefi  i madh kur flet për luftë, nuk e ka me ne, por me ata që i kërkuan zarfin për ta votuar në Komitet Ekzekutiv të UEFA-s.  Një luftë tepër  e justifikuar, kur mendon se fuqiploti i topit të shfryrë  nuk është mësuar të japë para, ndaj kërkon luftë në Shqipëri për të pushtuar më pas..Europën.  Mos është luftë financiare dhe ne budallenjtë s’kuptojmë asgjë! Kështu duhet të jetë, pale kur kujton atë shuplakën që u dha vartësve në FSHF para se të nisej  për “votën e lirë” në Europë: “ Nuk do të merrni rrogë, për aq kohë sa nuk dini të mblidhni paratë e gjobave që kanë klubet..”

Humorin e paska djallosur edhe më keq një gazetar, pikërisht në ditën e prezantimit të fanellës së re, kur  e ka pyetur shefin se si do t’i shkojë filli këtij kampionati.  Presidenti e ka parë me keqardhje gazetarin, me një pamje ku lexohej habia për naivitetin e pyetjes, ndaj dhe e hodhi nokaut me fjalët: “ Mos më pyet mua..për kampionatin”. Budalla, pyete vetëm për Europën, se kampionati ka mbaruar në mëndjen e tij.  Kështu e pësojnë të gjithë ata që pyetjen nuk e marrin të gatshme nga fabrika, por e nxjerrin nga xhepat e shpuar të kampionatit. Pyetja që zoti Duka e kishte gati për t’ia falur  gazetarit kishte qënë: shef, ju çuat në Europë gjithë Shqipërinë, cili do ta besonte që të mos shkoje edhe vetë tani?”

 

 

G.Sinemati