Herta është një nga klubet më të rëndësishëm të Gjermanisë, i vetmi që mund të vlerësohet nga ata që bëjnë pjesë në Berlin. Veçse, kryeqyteti i vendit të madh europian nuk ka dëshirë të mendojë vetëm për ekipin e futbollit, por më së shumti për popullsinë e tij. Herta ka në plan të largohet nga Stadiumi “Olimpik” dhe të ketë një stadium të vetin, mundësisht sa më pranë të vjetrit. Ajo ia ka vënë syrin stadiumit në Jansportpark në Prenclauer Berg (në foto), veçse pushteti vendor berlinez ka të tjera mendime.
Këshilli Bashkiak (Senati) do të shpenzojë 170 milionë euro në këtë park, për ta modernizuar dhe për ta bërë një qendër sportive të denjë për berlinezët, dhe nga këto para do të hidhen 85 milionë për të rikonstruktuar stadiumin ekzistues që ka edhe pistë atletike.
Herta shpreson të ndërtojë aty një stadium vetëm për futboll, pasi Stadiumi “Olimpik” ka kosto të lartë (5 milionë euro në vit), ndërsa mesatarisht atje shkojnë 40 000 tifozë të Hertë për çdo ndeshje, nga rreth 80 000 që është kapaciteti, pra nuk ka një atmosferë të vërtetë për të mbështetur ekipin. Veçse, Gjermania prandaj është Gjermani, atje politikanët janë shumë më të lidhur me popullin e vet, dhe për ta ka më shumë rëndësi aktiviteti sportiv amator i qytetarëve, sesa një klub profesionist futbolli.
Sfidanti.al