Ç‘dreqin ndodhi në Korçë?Ishte përmbysje karakteri apo..karakter i përmbysur?

Ndeshja e javës, Skënderbeu-Tirana, së cilës iu vu një mbulesë e artë kur u bekua  se ishte një ndeshje karakteri, do të mbahet mend për disa arsye.  Do të kujtohet për ndarjen me thikë të protagonizmit gjatë 90 minutave, ku Skënderbeu  zaptoi frenat e lojës për 45 minuta dhe  mbylli sytë në pjesën e dytë.  Nuk do të harrohet edhe roli  kontradiktor i Tiranës, ku  në pjesën e parë vetëm kërkonte çelsin e humbur në fushë, ndërsa në të dytën u shfaq si zot shtëpie.Aq sa  u tha se tregoi karakter të fortë kur përmbysi, por harruam të thonim  se 45 minutat e para i luajti pa karakter! Kjo ndeshje do të mbahet mend edhe për një frazë në koment të ish-futbollistit dhe trajnerit, Nevil Dede. Fraza e tij dogji shumë më tepër se dy golat e sulmuesit Ngo: “ Më çudit fakti se si ekipet e trajnerit Daja shkërmoqen në pjesën e dytë ..”

Një frazë që me siguri nuk i ka prishur humorin vetëm trajnerit Daja,  sepse ajo  të çon në një dynja tjetër, ku loja nuk mund të shpjegohet dot me frazat “ kisha mungesa” apo “ ishin futbollistë të rinj, pa përvojë..ndaj e pësuan ashtu”. Sa herë i bëjmë kurban të rinjtë , për të justifikuar çorbën e të ..vjetërve!  Po si reagoi Daja kur Nevil Dede  lëshoi “qoften me helm”?  Mund të quhet një përgjigje e koduar, nga ato që më mirë se kushdo i dinë vetë trajnerët. “ Ti Nevil, ke qënë trajner edhe vetë!  Edhe ty të ka ndodhur,  kur ke patur ekip..”  Daja nuk gënjen, por  në fjalët e tij nuk mëson asnjë të vërtetë. Ç‘dreqin ndodh në ekip, kur je i gjallë në pjesën e parë dhe vetvritesh në të dytën? Këtë nuk e thotë as trajneri i trefishtë kampion, Ilir Daja, por , nuk e shpjegoi dot as Nevil Dedja, edhe pse pyetja e tij..  dukej sikur kishte brënda edhe përgjigjen…

Sfidanti.al