Ballkani i ëndrrave, në Kosovë futbolli nuk është…tallava

Fitorja 2-0 e Ballkanit ndaj Dinamos së Zagrebit është një rekord tjetër që vendos trajneri Ilir Daja që pas këtij suksesi konfirmohet edhe si “macja” e zezë e skuadrës kroate të cilën e eleminoi pothuajse 1 dekadë me parë nga faza play-off e Europa League. Suksesi në Prishtinë është një shembull i pastër i programimit perfekt që një klub bën në sintoni të plotë me trajnerin ku çdo mendim e thonë hapur dhe askush nuk mund të ndërhyjë në marrëdhënien e tyre të pastër. Ilir Daja ka marrë besimin nga drejtuesit e Ballkanit dhe ai po bën atë që askush nuk e ka bërë e me gjasë për shumë vite nuk do ta realizojë askush në trojet shqiptare. Tre herë në fazën e grupeve, fitorja ndaj skuadrës ndoshta më të fortë të gadishullit dhe këtë herë kandidat serioz për t’u kualifikuar në fazën tjetër.

Skuadër që nuk e ndien aspak shkëputjen e copëzave të rëndësishme siç është shembulli i Rrahmanit, Krasniqit dhe së fundmi edhe i Korenicës. Që të tre të larguar por Ballkani duket përherë e më i fortë pas çdo largimi duke prodhuar lojë e rezultate që thyejnë është ligjet më të konsoliduara të kësaj loje që i kanë rezistuar kohës për më shumë se 1 shekull.

Në Kosovë, një pjesë të madhe të kolegëve Ilir Daja i ka kundër por sërish nuk e kthen kokën pas për të tentuar t’i bindë se e kanë gabim, ndërsa sa herë skuadra e tij zbret në fushë ajo ka një kontakt gati gati romantik me topin dhe përqasje argëtuese me lojën. Presioni mbetet në dhomat e zhveshjes ndërsa të gjithë argëtohen. Formula funksionon, Ballkani fiton dhe tashmë kandidon edhe për një vend në 1-16 e Conference League, objektiv që askush më parë në futbollin shqiptar nuk ka guxuar ta shikojë drejtëpëdrejtë.

sfidanti.al