Askush nuk e ndalon spektaklin e tradhëtisë,  zëri trajnerit injorohet !

Nëse futbolli do të ishte loja ideale për të provokuar të vërtetën, kjo javë që lamë pas mund të pagëzohet me meritë si “ vdekja morale”.  Skena duket e pabesueshme, por ajo që ndodh në fushë vërteton se  trajnerët në stol  dalin në “pension” për 90 minuta dhe zëri i tyre nuk dëgjohet më nga futbollistët, aq sa dyshohet  se në javët e fundit taposen veshët për të mos dëgjuar as zërin e të zotit. Kështu ndodhi  me trajnerin Daja në ndeshjen  “megadramatike” Skënderbeu-Vllaznia, ku fjalët e tij  duhen nënvizuar: “  Për 90 minuta futbollistët e mi bënë gjithshka gabim, asgjë nga ato që kishim thënë,  por e përmbysën ndeshjen në saj të mentalitetit fitues”.  Sipas kësaj logjike, pikërisht në ndeshjet  me zemër në dorë në javët e fundit, trajnerët mund ta fitojnë ndeshjen duke qënë edhe “të papunë” për 90 minuta.  Nuk ka qënë më e lehtë jeta edhe për trajnerin serb Milinkoviç,  fytyra e të cilit pas ndeshjes me Laçin zbulonte më shumë edhe se fjalët . “ Disa lojtarë nuk meritojnë të luajnë me Luftëtarin.  Disa mendojnë se janë yje dhe duan të luajnë për veten e tyre, duke braktisur  lojën kolektive që na bëri të shkëqejmë..”

Trajneri serb  Milinkoviç nuk na i zbulon emrat e atyre që tradhëtojnë moralin e ekipit  që freskoi garën e lodhur nga veset,  edhe pse Luftëtari ka ndryshuar krejtësisht muzikën në këto javë. Loja e tyre nuk ka më passion dhe befasi.  Bregu e Abazaj  me shokë, ata që  kanë marrë shumë përkëdheli gjatë këtij sezoni,  s’bëhen më të gjallë e të bukur me penetrimet e tyre. Më keq akoma, kur paskan dyllosur veshët dhe nuk dëgjokan zërin  e mjeshtrit  që i lartësoi në fushë më shumë sesa pritej nga një debutues.  Si mund të kishte një fat tjetër për serbin, në një garë ku pasha e mëkatit është ndjeshëm më e madhe se vlera e mirënjohjes.  Një  mallkim i vjetër që nuk na ndahet, të cilin po e vuajnë padrejtësisht brezi i sotëm i  trajnerëve. Edhe Cungu i Vllaznisë ishte në listën e trajnerëve që thirrën me zë të lartë kundër “gjellës së prishur” në fushë.  Dhe, ndryshe nga kolegu Milinkoviç,  ka drejtuar gishtin e fajtorit të një futbollist me emrin Cicmil që duket shumë i vogël për të qënë “koka e madhe”  që helmoi gjithë ndeshjen e Korçës.  Edhe pase duket një alibi e pastër, mund të konsiderohet një hap para, në krahasim me ndeshjen e Shkodrës me Skënderbeun , ku nuk u zbulua dot asnjë emër fajtori…

Sfidanti.al