Adhuruesit e Partizanit, të lashtët që kanë 29 vite që presin titullin dhe brezi i ri “demave” në shkallët e stadiumit, i kishin hedhur ndryshe “zaret e fatit” për merkaton e dimrit. Nuk e dinin, as nuk e prisnin se do të quhej Mombilo dhe do të ishte kaq i panjohur, sepse në imagjinatën e tyre do të ishte dikush me peshën e ..titullit. Dikush që kur ta kurdiste trajneri Gega, të hidhej në fushë si i paharruari Ekuban dhe të mos ndalej me gola deri në javën e fundit, kur titulli kampion të mos ishte më një vegim, por një realitet sfidues. Një realitet tepër atipik për një klub si Partizani, që nuk ishte mësuar të priste kaq gjatë, por vetëm e prisnin të zbriste nga froni…
Ky futbollisti Mombilo , po të shikosh kartën e tij, nuk është një “magjistar” golash, por më shumë një mbrojtës krahu apo e shumta.. mesfushor krahu. Emri i tij nuk është kodi drejt titullit, sepse diçka tjetër ka rëndësi jetike për Partizanin, aq sa mund të quhet blerja sublime e sezonit. “Demat” po marshojnë, dhe prova e madhe u damkos edhe në Korçë, pa patur kundër “demat” e sistemit, ata që e ndalonin prej vitesh me bilbil arbitrash apo me paudhësi prapaskenash. Sa në ditën më të zezë provuan edhe fundin e detit, kur u gremisën një “botë më poshtë” në kategorinë inferiore. Të shkuara të harruara për disa, sidomos ata që e kanë kujtesëën e shkurtër. Apo për disa të tjerë që i gëzohen ditës fatlume kur edhe vetë “djalli” është betuar se ky do të jetë viti i Partizanit. Porpaska dhe një kusht? Cili qënka ky kushti, nuk mjaftuan 29 vite në qelinë e futbollit? Nëse Partizani do të shpallet kampion, kur të harboheni me titullin nga qejfi i madh, mos harroni, të falenderoni edhe çunat e sistemit, që më në fund e gjetën dashurinë.. aty ku flinte urrejtja e tyre më e madhe.
Sfidanti.al