Tashmë pothuajse kanë përfunduar të gjitha nga fesëta tradicionale që përgjithësisht i shkund mirë shqiptarët. Mund te ketë mbetur ndonjë mbeturinë nga gjeli i detit, barku i fryrë si kacek, si dhe era e barutit nëpër rrugët e qyteteve. Ndërkohë që për futbollin, ditët monotone do të vazhdojnë ende, ashtu siç ka ndodhur pothuajse gjithmonë vitet e fundit. Pikërisht tani është koha, për t’u zhvilluar një “mini-kampionat” në Antalia dhe konkurentët që do të diskutojnë “titullin” në anën tjetër të Bosforit janë duke i dhënë dorën e fundit bagazheve të tyre. Së fundi, pjesa më e madhe e skuadrave tona kanë konfirmuar vendin e zhvillimit të fazës përgatitore, madje ndonjë prej tyre edhe miqësoret e mundëshme, të cilat sigurisht që kanë një vlerë më të madhe se ajo sportive.
Dhe në kohën kur ekipet do të mblidhen të gjithë bashkë në parajsën turke, për t’iu nënshtruar një sistemi sofistikimi të performancave të tyre, po në të njëjtat temperatura të përmirësuara nga Zoti do të jenë edhe drejtuesit e tyre. Këta në anë të një tavoline të mbushur me “cash”, duke pritur menaxherë dhe pikturuar objektiva të reja. Në atë zonë, Antalia, Belek, Kemer, bosët e futbollit tonë do të blejnë dhe do të shesin futbollistë, siç bënë me gjelat në Baldushk, në ditët e fundit të vitit që u mbyll. Por mbi të gjitha, atje do të bëhen edhe më të dashur, madje gati të gjithë njëlloj, ata që janë ndjerë të persekutuar dhe të favorizuarit e këtij regjimi despotik, që drejton këtë sport në Shqipëri.
Pra plazhet turke, nuk janë gjë tjetër, veçse vende ideale për një lavazh për qejf mbeturit, të cilët harrojnë si me komandë mëkatarët e tyre. Dhe pas këtij spektakli të përvitshëm vjen edhe kthimi për të vazhduar pjesën e mbetur të sezonit, edhe ky një tjetër rit monoton. Protagonistët do të fillojnë të kthjellohen në temperature më të ulëta, do të fillojnë të rrotullohen në baltën e këtij kampionati dhe ka gjasa që ka kuptojnë shpejtë, se shpenzimet ekstra në ditët e Antalias ishin thjeshtë të pavlera. Le që do të dalin në skenë mëkatarët e zakonshëm, të cilët e ruajnë të njëjtë, aftësinë për të injoruar investimin e atyre që i kanë jashtë listës së të preferuarve. Do të dalin të njëjtët tellallë e do të përsërisin se po jetojmë një mrekulli futbollistike, ndërsa bosët e skuadrave nuk janë më në parajsën natyrale të Antalias, por në futbollin shqiptar, parajsën e “bosit të bosëve”.