Lionel Mesi ka dalë lojtari më i mirë në botë për vitin 2017 në anketën e gazetës “Marka”. Ylli i Barcelonës la pas yllin vendas, Kristiano Ronaldo, në votimin e lexuesve të së përditshmes sportive, me bazë në Madrid, dhe kjo e bën edhe më të besueshëm faktin se ai ka qenë më i mirë sesa superlojtari i Realit.
Lexuesit e “Markës” padyshim janë nga e gjithë Spanja, dhe nga e gjithë bota spanjishtfolëse (sidomos, Amerika Latine dhe qendrore), por gjithsesi gazeta njihet si shumë pranë Realit, pra një pjesë e madhe e abonuesve dhe blerësve të saj anojnë më shumë nga madrilenët sesa nga katalanasit.
Ajo që habit më shumë sesa fitorja e Mesit është diferenca e madhe e tij me Kristianon. Argjentinasi mori 56 për qind të votave në sondazh, ndërsa portugezi vetëm 25 për qind. Në vendet e para, pas tyre, ishin disa lojtarë të Realit si Modriç, Ramos e Isko, ndërsa nuk mungonin Kejn, Mbape, Nejmar, Bufon apo De Brujne, ndonëse të gjithë shumë prapa Mesit e Ronaldos.
Sfidanti.al